Isen Shabani: Kundërkandidati im nuk është legjitim, ai bojkotoi zgjedhjet
Kandidati i AKI-së për komunën e Vrapçishtit, Isen Shabani, sonte në emisionin “Debat në SHENJA” sqaroi arsyet pse nuk pranoi të përballet direkt me kundërkandidatin Zulhajrat Demiri.
Shabani theksoi se vendimi nuk ka të bëjë me personin në fjalë, por me legjitimitetin e kundërkandidatit. “Për ish-kandidatin, jo që është ky, është ish-miku im. Nuk është çështje personale, por çdo kandidat tjetër në këtë situatë nuk do të pranonte përballje direkte përveç kandidatit legjitim që kishte garuar më 19 tetor. Prezenca ime i jep legjitimitet këtij procesi, ndërsa në këtë rast kundërkandidati nuk është legjitim,” deklaroi Shabani.
Ai shtoi se zgjedhjet e 19 tetorit u zhvilluan në mënyrë të rregullt, dhe në atë kohë kundërkandidati aktual nuk mori pjesë, duke bojkotuar procesin. Kandidati i atëhershëm legjitim ishte Memet Seferi nga radhët e VLEN-it. “Kundërkandidati aktual nuk ka marrë pjesë më 19 tetor, duke bërë një shkelje të rëndë të demokracisë,” përfundoi Shabani. /SHENJA/

