Irani paralajmëron SHBA-në se bazat e saj në rajon do të shënjestrohen nëse bashkëpunon me Izraelin

Irani paralajmëron SHBA-në se bazat e saj në rajon do të shënjestrohen nëse bashkëpunon me Izraelin

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit, Mohammad Bagheri, ka bërë të ditur se një mesazh i është dërguar SHBA-së përmes Zvicrës, duke paralajmëruar kundër bashkëpunimit me Izraelin në ofensivën izraelite të mundshme kundër Iranit, transmeton Anadolu.

Gjenerali i lartë ushtarak u tha gazetarëve në Teheran se Washingtoni është i informuar se nëse bashkohet me Izraelin në veprimet e mundshme të mëtejshme ushtarake kundër Iranit, bazat amerikane në rajon nuk do të jenë të sigurta.

Meqenëse Irani dhe SHBA-ja nuk janë marrëdhënie diplomatike ose konsullore, qeveria zvicerane përmes ambasadës së saj në Teheran ka shërbyer si Fuqia Mbrojtëse e SHBA-së në vend që nga viti 1980.

Mbrëmë, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) lëshoi një breshëri raketash dhe dronësh në Izrael në përgjigje të sulmit të 1 prillit në konsullatën iraniane në Siri.

Sulmi me raketa në konsullatën iraniane rezultoi në vrasjen e shtatë zyrtarëve ushtarak të Iranit, duke përfshirë një komandant të lartë të IRGC-së, gjë që tërhoqi reagime të zemëruara nga Irani.

Para sulmit, i cili erdhi pas javësh tensioni të shtuar, Irani në një letër drejtuar administratës së presidentit Joe Biden i kishte kërkuar që të mos qëndronte pas qeverisë izraelite të kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Në një postim në X më 5 prill, zv/shefi i kabinetit të presidentit iranian për çështjet politike, Mohammad Jamshidi, tha se Teherani paralajmëroi Washingtonin “të mos tërhiqet në kurthin e Netanyahu-t”.

Në përgjigje, shtoi Jamshidi, SHBA-ka i kishte kërkuar Iranit të mos shënjestronte bazat ushtarake amerikane në rajon.

Gjeneral Bagheri tha se operacioni i quajtur “Premtimi i vërtetë” ka përfunduar, por nëse Izraeli përgjigjet, reagimi iranian do të jetë “më i ashpër”.

“Sipas mendimit tonë, operacioni ka përfunduar, por forcat e armatosura janë në gatishmëri dhe do të ndërhyjnë nëse është e nevojshme”, tha ai, duke shtuar se operacioni u krye sepse Izraeli “tejkaloi vijat e kuqe të Iranit”.

Gjenerali Hossein Salami, komandant i lartë i IRGC-së, foli gjithashtu për mediat dhe paralajmëroi se reagimi i Iranit do të jetë “shumë më i ashpër” nëse Izraeli do t’i përgjigjet sulmeve iraniane.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, në një postim në X tha se Washingtoni “nuk kërkon konflikt me Iranin”, por “ne nuk do të hezitojmë të veprojmë për të mbrojtur forcat tona dhe për të mbështetur mbrojtjen e Izraelit”.

MARKETING