Irani: Dy tankerë nafte që “shkelën” rregullat goditën mina detare dhe morën flakë në Ngushticën e Hormuzit

Irani: Dy tankerë nafte që “shkelën” rregullat goditën mina detare dhe morën flakë në Ngushticën e Hormuzit

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) njoftoi se dy tankerë nafte që kanë “shkelur” rregullat janë përfshirë nga zjarri të dielën në mëngjes, pasi kanë goditur mina detare në Ngushticën e Hormuzit, transmeton Anadolu.

“Njëra prej anijeve ishte një supertanker që transportonte më shumë se 2 milionë fuçi naftë bruto. Ajo goditi një minë detare në veri të portit të Khasabit dhe shpërtheu”, thuhet në një deklaratë të Marinës së IRGC-së, të transmetuar nga televizioni shtetëror IRIB.

“Tankeri i dytë goditi një minë teksa po dilte nga Ngushtica e Hormuzit, në pjesën lindore të kësaj rruge ujore dhe u përfshi nga zjarri”, thuhet më tej në deklaratë.

Garda paralajmëroi anijet që të mos “mbështeten në premtimet e rreme të bëra nga komandantët e CENTCOM-it (Komanda Qendrore e SHBA-së)”.

Tensionet në Lindjen e Mesme kanë mbetur të larta që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftë kundër Iranit më 28 shkurt, duke nxitur Teheranin të kundërpërgjigjet me sulme me raketa dhe dronë në mbarë rajonin dhe të mbyllë praktikisht Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyç për furnizimin global me energji.

Një marrëveshje kornizë e arritur në qershor, e cila synonte të hapte rrugën për një marrëveshje përfundimtare paqeje mes Washingtonit dhe Teheranit, më vonë dështoi për shkak të mosmarrëveshjeve, përfshirë ato lidhur me lundrimin në ngushticë.

MARKETING