Irani do të ndërtojë central të ri bërthamor me kredi nga Rusia

Irani do të ndërtojë central të ri bërthamor me kredi nga Rusia

Ministri iranian i Naftës, Mohsen Paknejad deklaroi se do të ndërtojnë central të ri bërthamor në vend me kredinë e dhënë nga Rusia, transmeton Anadolu.

Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve IRNA, ministri Paknejad, i cili ishte në Moskë për takimin e 18-të të Komisionit të Përbashkët të Bashkëpunimit Ekonomik Iran-Rusi, dha një deklaratë mbi këtë çështje në seancën përmbyllëse të takimit.

Ai tha se takimi i komisionit u mbajt në atmosferë miqësie dhe mirëkuptimi të ndërsjellë. “Irani dhe Rusia do të vazhdojnë të bashkëpunojnë në përdorimin paqësor të energjisë bërthamore, ndërtimin e centraleve të reja bërthamore dhe përfundimin e fazës së dytë dhe të tretë të centralit bërthamor të Bushehrit me kredi nga Moska”, tha ai.

“Sipas marrëveshjes midis palëve, një central i ri bërthamor do të ndërtohet në Iran me një kredi nga Moska”, tha Paknejad.

Duke iu referuar marrëveshjeve të mëparshme midis Iranit dhe Rusisë që synojnë forcimin e bashkëpunimit në industrinë e naftës dhe zhvillimin e fushave të naftës dhe gazit, Paknejad tha: “Teherani dhe Moska synojnë të përshpejtojnë zbatimin dhe përfundimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit me Gazprom-in”.

Paknejad potencoi se të dy vendet gjatë takimit të komisionit arritën marrëveshje mbi bashkëpunimin gjithëpërfshirës në sistemin bankar, harmonizimin e standardeve për të zhvilluar tregtinë dhe për të hequr kufizimet, forcimin e qendrave tregtare në të dy vendet për të lehtësuar njohjen e biznesmenëve dhe tregtinë dypalëshe si dhe forcimin e bashkëpunimit në bujqësi, shëndetësi dhe doganë.

Në deklaratën e mëparshme, ai kujtoi se ata nënshkruan 4 marrëveshje me Rusinë në vlerë prej 4 miliardë dollarësh amerikanë për zhvillimin e shtatë fushave të naftës.

Në nëntor 2022, ministri i atëhershëm iranian i Naftës, Javad Oji deklaroi se Irani nënshkroi marrëveshje në vlerë prej rreth 4 miliardë dollarësh me Rusinë për linjat e transmetimit për zhvillimin dhe eksportin e fushave të gazit natyror.

MARKETING