Iraku synon të rikthejë prodhimin ditor të naftës në mbi 3 milionë fuçi
Ministria e Naftës e Irakut ka bërë të ditur se po punon për të rikthyer prodhimin në më shumë se 3 milionë fuçi në ditë brenda dy muajve, pas një rënieje të ndjeshme të shkaktuar nga lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, transmeton Anadolu.
Njoftimi erdhi nga zëdhënësi i Ministrisë së Naftës, Salim Farhoud, në deklarata për mediat lokale, në një kohë kur Washingtoni dhe Teherani arritën një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që kishte shkaktuar ulje të konsiderueshme të prodhimit në të gjithë rajonin.
Prodhimi i naftës në Irak ra me rreth 60 për qind për shkak të luftës, duke zbritur në 1.3 milionë fuçi në ditë nga 3.3 milionë fuçi para fillimit të konfliktit.
Farhoud tha se nuk ka një afat të caktuar për kthimin e eksporteve në nivelet e mëparshme, duke përmendur ndryshimet në kushtet e rezervuarëve dhe kapacitetin prodhues të fushave të ndryshme.
Ai theksoi se kompanitë operuese kanë nisur punimet për rikthimin e prodhimit, ndërsa shumica e tyre, veçanërisht kompanitë kineze, vazhdojnë të jenë të pranishme në terren dhe se fushat me kapacitet të reduktuar tashmë kanë filluar të rrisin prodhimin.
“Është e mundur që brenda një ose dy muajsh të rikthehemi në nivelet e mëparshme të prodhimit, që tejkalojnë 3 milionë fuçi në ditë nga fushat jugore”, tha Farhoud.
Iraku është ndër prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të naftës në botë, me rezerva të provuara të vlerësuara në rreth 145 miliardë fuçi, sipas shifrave zyrtare.

