Inzaghi ka ndërtuar një “mur”, Inter më mirë se Bayern, City dhe Real Madrid

Inzaghi ka ndërtuar një “mur”, Inter më mirë se Bayern, City dhe Real Madrid

Inter e ka nisur këtë sezon të Serie A në mënyrën më të mirë të mundshme. Zikaltërit i kanë fituar tre ndeshjet e para të kampionatit dhe janë me nëntë pikë të plota teksa ndajnë kreun e renditjes me Milanin. Por, diferenca nga “kushurinjtë” qëndron te reparti difensiv.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Simone Inzaghi ende nuk ka pësuar gol dhe është hera e parë pas plot 57 vitesh që diçka e tillë regjistrohet pas tre ndeshjeve të para. Në atë periudhë ekipi drejtohej nga Helenio Herrera. Aktualisht, Inter është e vetmja skuadër në pesë kampionatet kryesore që nuk ka pësuar ende gol teksa rrjetën e paprekur nuk kanë mundur ta mbajnë skuadra si Manchester City, Bayern Munich, Real Madrid, Barcelona apo Paris Saint-Germain.

Mbrojtja zikaltër bind dhe optimizmi shtohet edhe më tej kur në këtë repart ende nuk është kërkuar kontributi i një si Benjamin Pavard i ardhur nga Bayern Munich. Darmian po shkëlqen në këtë fillim sezoni dhe francezit do t’i duhet të luftojë për të fituar një vend mes titullarëve. Nga ana tjetër, asnjë minutë edhe për Acerbin, një nga më të mirët e sezonit të kaluar.

Italiani është në rikuperim e sipër, megjithatë Inter nuk ia ka ndjerë mungesën. Bastoni e De Vrij janë një garanci dhe duket se janë rikthyer në versionin e tyrë më të mirë ashtu si në kohën e Antonio Contes kur udhëhoqën Interin drejt titullit kampion.

 

MARKETING