Integrimi evropian i Maqedonisë dhe rritja e bashkëpunimit ekonomik në fokus të takimit të Siljanovska-Davkovës me kryeministrin spanjoll Sançez

Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, në kuadër të pjesëmarrjes së saj në Konferencën e 4-t ndërkombëtare për financimin e zhvillimit në Sevila, realizoi takim me kryeministrin e Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sançez.

Duke iu referuar integrimit tonë evropian, Siljanovska-Davkova, siç kumtoi kabineti i saj, vuri në dukje kompromiset e vështira të Maqedonisë që duhet të vlerësohen siç duhet nga Bashkimi Evropian dhe theksoi se hyrja në BE do të jetë e dobishme si për vetë Unionin ashtu edhe për vendet kandidate, gjë që do ta stabilizojë atë më tej.
Ajo vlerësoi se Spanja është një partner i rëndësishëm i vendit në kuadër të NATO-s, OKB-së dhe OSBE-së, dhe shprehu mirënjohje ndaj Qeverisë së Sançezit dhe Spanjës për mbështetjen e tyre të vazhdueshme të aspiratave të Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke riafirmuar angazhimin e vendit në rrugën e integrimit evropian, Siljanovska-Davkova përsëriti qëndrimin se çështjet dypalëshe nuk duhet të jenë pengesë në procesin e anëtarësimit. Duke marrë parasysh proceset e trazuara gjeopolitike në botë, ajo theksoi nevojën për të ruajtur besueshmërinë e politikës së zgjerimit dhe theksoi se ky rajon, i cili historikisht, gjeografikisht dhe kulturorisht i përket BE-së, duhet të integrohet në familjen evropiane sa më shpejt të jetë e mundur.

“Presidentja me kënaqësi mori informacionin nga kryeministri Sançez se Spanja është e interesuar në rritjen e bashkëpunimit ekonomik në fushat e turizmit, infrastrukturës, bujqësisë, energjetikës, energjisë diellore dhe menaxhimit të burimeve ujore”, theksohet në kumtesën.