Inspektorati i mjedisit jetësor del në terren në Shkup, gjobiten 20 qytetarë për krijimin e deponive të egra

Inspektorati i mjedisit jetësor del në terren në Shkup, gjobiten 20 qytetarë për krijimin e deponive të egra

“Inspektorët e mjedisit jetësor të qytetit të Shkupit, sot kanë gjetur një banor të komunës së Butelit duke hedhur sasi të mëdha të mbeturinave në territorin e komunës së Karposhit në drejtim të Vizbegut”, njofton qyteti i Shkupit.

Në njoftim thonë se ndaj personit Z.M. do të bëhet kallëzim penal për dëmtim të konsiderueshëm të cilësisë së ajrit, ujit dhe tokës, pra rrezik për jetën dhe shëndetin e njerëzve, vepër e dënueshme me burgim nga katër deri në dhjetë vjet.

“Para një ore inspektorët e mjedisit jetësor të qytetit të Shkupit kanë konstatuar dhe evidentuar hedhjen e sasive të mëdha të mbeturinave, duke bërë një deponi të egër dhe të djegur në territorin e komunës së Karposhit në drejtim të Vizbegut. Qyteti i Shkupit do të paraqesë kallëzim penal për shkaktim të rëndë të cilësisë së ajrit, ujit dhe tokës, gjegjësisht rrezik për jetën dhe shëndetin e njerëzve, për vepër penale të kryer nga personi Z.M, banor i komunës së Butelit, në pajtim me me nenin 218 të Kodit Penal, vepër e dënueshme me burgim nga katër deri në dhjetë vjet”, thuhet në njoftim.

Nga qyteti i Shkupit thonë se në territorin e Shkupit janë gjithsej 14 institucione që kanë kompetencë dhe obligim të veprojnë në situata të tilla, duke theksuar se gjatë fundjavës inspektorët e mjedisit jetësor të qytetit të Shkupit, si dhe inspektorët komunalë. kanë sanksionuar mbi 20 qytetarë.
“Deri më tani vetëm qyteti i Shkupit është duke reaguar, ndërsa të tjerët nuk po veprojnë, edhe pse e kanë obligim ligjor ta bëjnë të njëjtën gjë. Inspektorët e mjedisit jetësor të qytetit të Shkupit dhe inspektorët komunalë gjatë fundjavës kanë sanksionuar mbi 20 autorë”, thuhet në njoftim.

Ata shtojnë se sivjet kanë ngritur disa kallëzime penale për hedhjen e mbeturinave të rrezikshme dhe rrezikim të mjedisit për përgjegjësi penale ndaj autorëve të gjetur duke hedhur mbeturina të rrezikshme, fletë asbesti dhe mbeturina të tjera ndërtimore.

MARKETING