Imazhet satelitore: Kjo është një bazë kryesore ruse para dhe pas sulmeve të Ukrainës

Imazhet satelitore: Kjo është një bazë kryesore ruse para dhe pas sulmeve të Ukrainës

Pamjet satelitore të bazës ajrore ruse Engels, e cila u godit dje nga dronët ukrainas, u regjistruan sot në mëngjes dhe tregojnë kraterë dhe ndërtesa të shkatërruara.

Në pamjet shihet krahasimi i gjendjes së sotme me atë nga dhjetori i vitit 2024. Pamjet u publikuan nga kompania amerikane Maxar Technologies.

Përkujtojmë, qytetet ruse Saratov dhe Engels ishin objektiv i sulmit më të rëndë me dronë në rajonin e Saratovit që nga fillimi i luftës, deklaroi dje guvernatori Roman Busargin, duke shtuar se në aeroport shpërtheu zjarr.

Kanale ruse të Telegramit raportuan se fillimisht u shpall rrezik ajror, pastaj pasoi një seri shpërthimesh. Sipas kanali MASH, së paku katër shpërthime janë dëgjuar rreth orës 4 të mëngjesit, sipas kohës lokale.

Qytetet Engels dhe Saratov ndodhen afër bazës ajrore ushtarake Engels-2, nga ku shpesh nisen bombardues strategjikë për të kryer sulme ajrore në Ukrainë.

Kanali informativ i pavarur Astra raportoi për shpërthime pranë bazës ajrore. Kanali i Telegramit, Shot raportoi gjithashtu se kishte shpërthyer zjarr në zonën e magazinave të naftës në Engels, ndërsa zyrtarët rusë nuk komentuan dëmet e mundshme në infrastrukturën e naftës.

Mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar 132 dronë ukrainas gjatë natës, përfshirë 54 mbi rajonin e Saratovit, 40 mbi rajonin e Voronezhit, 22 mbi rajonin e Belgorodit dhe të tjerë mbi rajonet e Rostovit, Kurskut dhe Lipetsk, si dhe mbi Krimen e okupuar, ka konfirmuar ministria ruse e mbrojtjes. /Telegrafi/

 

MARKETING