Ilir Daja vlerëson paraqitjen e Ballkanit, thotë se mungesat ndikuan në rezultat

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, në konferencën për shtyp pas ndeshjes me Viktoria Plzen ka thënë se ky ishte maksimumi që mund të bënte Ballkani, duke marrë parasysh mungesat që i kishin për këtë ndeshje.
Ballkani pësoi humbje me rezultat 1-0 ndaj Plzenit në “Air Albania”, në ndeshjen e parafundit të grupit C në Ligën e Konferencës.
“Në fund fare, është pjesë e këtij rrugëtimi të gjatë dhe të lodhshëm, jo vetëm për ekipin por sidomos për lojtarët si Dellova, Zyba e Kuç që nuk kanë pushuar asnjë ditë për shkak të angazhimeve me përfaqësuese. Ky është maksimumi në mungesë të kontingjentit të lojtarëve, pasi lëndimi i Kryeziut në stërvitjen e fundit, na bëri të ndryshojmë gjërat”.
“Nuk duhet harruar se përballë kishim një ekip me përvojë të madhe në garat evropiane, ndërsa për ne është vetëm viti i dytë në Evropë”, është shprehur Daja./Telegrafi/