Igli Hasani: Për të qenë Evropa dhe Ballkani Perëndimor më të sigurt duhet të pranohet Kosova si shtet
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani, gjatë fjalimit të tij në Këshillin Ministror të OSBE-së, tha se kërcimi më i madh i sigurisë në këto ditë është Rusia dhe lufta e saj në Ukrainë.
“E dimë se një OSBE e fuqishme, është e nevojshme në ditët e sotme, pasi edhe përkundër progresit të dekadës së fundit, kërcënimet e vjetra janë duke dalë në sipërfaqe përsëri dhe pas këtyre tentativave për të shkaktuar probleme në Ballkanin Perëndimor, mund ta shohim qartë dorën e njëjtë që po dëshiron ta dobësoj OSBE-në”, tha Igli Hasani, ministër i Jashtëm i Shqipërisë, raporton SHENJA.
Ai tha se ngjarjet në Kosovë ishin shkëndija e fundit e tentimit për të shmangur vëmendjen në Ukrainë, duke nxitur konflikt në Ballkanin Perëndimor.
“Por jemi duke bërë gjithçka për të luftuar këtë sëbashku me partnerët dhe aleatët. Shqipëria po punon në mënyrë aktive për një Ballkan të qetë Perëndimor. Kosova dhe Serbia duhet t’i zgjidhin të gjitha dallimet, nëpërmjet dialogut sepse nuk ka një alternativë përveç dialogut, por duhet të pranojmë që në mënyrë që ta bëjmë Evropën dhe Ballkanin Perëndimor më të sigurt, duhet ta pranojmë Kosovën si shtet i pavarur dhe t’ia sigurojmë një karrige në këtë tavolinë dhe në të gjitha Forumet Ndërkombëtare”, shtoi më tej Hasani. /SHENJA/