Ibrahimi: Ligji për Medresenë “Isa Beu” është nderim për dijen dhe besimin

Kryetari i Alternativës dhe një nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, e ka cilësuar si një ditë historike për arsimin dhe komunitetin besimtar në vend miratimin nga ana e Qeverisë së propozim-ligjit për Medresenë “Isa Beu” dhe shkollat e tjera të mesme fetare.
“Me krenari dhe përkushtim ju njoftojmë se Qeveria dje ka miratuar propozim-ligjin për shkollat e mesme të komuniteteve fetare. Ky është një hap i rëndësishëm që i jep fund një çështjeje shumëvjeçare dhe të ndjeshme për nxënësit e shkollave fetare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, dhe në veçanti për ata të Medresesë ‘Isa Beu’,” tha Ibrahimi në një deklaratë për media.
Sipas ligjit të ri, diplomat e Medresesë “Isa Beu” dhe të shkollave të tjera të ngjashme do të njihen dhe barazohen me diplomat e shkollave të mesme publike në vend. Kjo do të u mundësojë nxënësve të përfundojnë arsimin me profil gjimnazist, të pasuruar me lëndë fetare, dhe të kenë të drejtën për të dhënë maturën shtetërore. Kësisoj, ata do të kenë mundësi të barabarta për regjistrim në fakultete, si në institucionet vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare – publike apo private.
“Pas disa dekadash diskriminim të heshtur dhe mungesë të përfaqësimit të drejtë, sot këta nxënës po e fitojnë të drejtën e tyre të barabartë si çdo qytetar tjetër,” theksoi Ibrahimi.
Ai shtoi se ky veprim nuk është vetëm një vendim teknik, por një përmbushje morale dhe një dëshmi për respektin ndaj dijes dhe përkushtimit fetar. “VLEN nuk bën lojëra politike me ndjenjat fetare.