I munguan Serisë A, Sassuolo rikthehet në elitën italiane

Sapo ndeshja midis Spezias dhe Mantova përfundoi 2-2 në fushën e Lombardisë, Sassuolo festoi përmes një postimi në rrjetet sociale, rikthimin në elitën e futbollit italian. Festa është legjitime pasi matematika ja lejon edhe pse kanë mbetur pesë ndeshje për tu luajtur në Serinë B.
“Ne jemi kthyer në Serie A. Nga një zhgënjim mizor, lindi një dëshirë e pamasë për hakmarrje”, shkruhej në foton e publikuar nga klubi.
Sassuolo ka arritur deri më tani 23 fitore në 33 ndeshje me 73 gola të shënuar. Këto statistika i kanë lejuar atyre të mbyllin hesapet me Serinë B, 5 javë para fundit të kampionatit.
“Në fillim të sezonit nevojitej pasioni dhe besimi, të kombinuara me një vizion të ndritur për të ardhmen. Pronësi largpamëse, menaxhim kompetent, një drejtor i ri sportiv, një trajner i ri, disa blerje të synuara dhe një pjesë e mirë e skuadrës e rikonfirmuar pavarësisht sirenave të tregut. Këtu, me pak fjalë, janë kampionët për këtë sezon në B. Ishte e qartë se rruga e ndjekur do të na çonte larg, në kohën e duhur, në vendin e duhur”, thuhet më tej në postimin e triumfit.