I fiksuar pas vetëm një ekipi, Zidan refuzoi ofertën e Belgjikës për pankinën
Federata Belge e Futbollit ka zyrtarizuar sot Rudi Garsian si trajnerin e ri të përfaqësueses së saj, pas shkarkimit të Domeniko Tedeskos për mungesë rezultatesh me “djajtë e kuq”. Por ai nuk kishte qenë zgjedhja e parë që ata kishin.
“Nieuwsblad” ka bërë të ditur se në fakt Federata Belge ishte gati të bënte gjithçka për të emëruar Zinedin Zidan në pankinën e përfaqësueses së saj, duke e cilësuar si emrin e duhur për të përmirësuar edhe imazhin e dëmtuar pas paraqitjeve të fundit në turnetë madhorë të ekipit.
Por ish-trajneri i Real Madrid ka bërë të qartë se nuk ishte i interesuar për këtë detyrë, edhe pse nuk ka hequr dorë nga trajnimi. Ëndrra e Zidan mbetet vetëm një, ajo e drejtimit të përfaqësueses së Francës dhe fitorja e Botërorit me të si trajner. Ndaj Zizu po pret që Didier Deshamp t’i japë lamtumirën “gjelave’ pas Botërorit 2026, duke i bërë vend Zidan në pankinë për të tentuar që të bëjë këtë ëndërr realitet.