Hysaj para përballjes me Serbinë: Do hyjmë për fitore, kjo mund të jetë finale për ne

Kapiteni i Kombëtares, Elseid Hysaj, foli me tone emocionale para ndeshjes kundër Serbisë, duke e cilësuar përballjen si një moment vendimtar për Shqipërinë në rrugën drejt kualifikimit.
Shqipëria po përgatitet për një nga sfidat më të rëndësishme të fazës kualifikuese, përballë Serbisë.
“Si është kjo pragsfidë? Të them të drejtën, për mua emocionalisht është gati e njëjta si më parë. Po e përjetoj shumë emocionalisht, është një ndjenjë e vështirë, por e bukur. Me zor po pres të jemi në fushë nesër”.
Mbrojtësi i Kombëtares foli edhe për masat e shtuara të sigurisë, duke i parë si një element motivues.
“Masat e sigurisë kanë qenë edhe herën e kaluar. Besoj se janë për sigurinë e tyre, por për ne kjo mund të shërbejë si karikim shtesë, meqë jemi të mbrojtur”.
Hysaj pritet të barazojë rekordin e Lorik Canës për numrin e paraqitjeve me Kombëtaren, por kapiteni u shpreh se mendon vetëm për ekipin dhe rezultatin.
“Është kënaqësi dhe nder të arrij rekordin e Lorik Canës, por tani mendoj vetëm për ndeshjen dhe Kombëtaren. Jam për skuadrën, pastaj do të shikojmë gjëra të tjera më pas.”
I pyetur për pritshmëritë ndaj ndeshjes, Hysaj u tregua i qartë për synimet në këtë takim.
“Ne kemi ardhur këtu për fitore, jo për barazim apo humbje. Duhet të jemi të përqendruar maksimalisht. 100% nuk mjafton, duhet të japim 120%, sepse është ndeshje delikate dhe e fortë – mund të jetë si një finale për ne dhe për ta”.
Në fund, Hysaj përsëriti se skuadra është plotësisht e përqendruar te objektivi kryesor – fitorja.
“Të gjithë mendojmë njësoj – duhet të hyjmë në fushë vetëm për fitore. Futbolli është i çuditshëm, nuk dihet si mund të shkojë, por gjëja më e rëndësishme është që të japim maksimumin. Ndoshta nesër do të jetë dita jonë”./