Hovenier: Propozimi evropian është pako e përkohshme, qëllimi ynë afatgjatë është njohja reciproke

Hovenier: Propozimi evropian është pako e përkohshme, qëllimi ynë afatgjatë është njohja reciproke

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se propozimi evropian është lëvizje e rëndësishme në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, por është diçka e përkohshme.

Hovenier ka thënë se ani pse ky propozim e bën situatën shumë më të favorshme në procesin e bisedimeve, qëllimi afatgjatë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është njohja reciproke që të rezultojë në fund të këtij procesi.

Ai, po ashtu, ka thënë se përkushtimi i ShBA-së në këtë drejtim as nuk është zbehur e as nuk është zvogëluar.

“Dua të them edhe se ky nuk është fundi. Ko nuk është marrëveshja e fundit. Nuk mund të jetë. Kjo është pako e përkohshme. Kjo është lëvizje e rëndësishme përpara; sigurisht që e bën situatën shumë më të favorshme. Por, qëllimi ynë afatgjatë, qëllimi afatgjatë i Shteteve të Bashkuara mbetet i njëjtë, dhe presidenti Biden dhe sekretari Blinken iu referuan atij sërish në mesazhet e tyre për Ditën e Pavarësisë, hiç më larg se muajin e shkuar, se përfundimisht e shohim këtë proces duke rezultuar në njohje të ndërsjellë. Nuk po flasim që ajo të ketë në qendër njohjen eventuale të ndërsjellë, sepse ajo reflekton realitetin e gjendjes. Por, përkushtimi ynë ndaj kësaj, assesi nuk është zbehur apo zvogëluar”, ka deklaruar Hovenier, në emisionin “Debat Plus”.
Hovenier ka thënë se angazhimi ndërkombëtar është i fuqishëm për procesin e bisedimeve, madje siç është shprehur ai, në një nen të propozimit evropian thuhet se ekziston një komision i përbashkët të kryesuar nga BE-ja për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes.

“Keni emisarë të posaçëm që angazhohen në mënyrë aktive që vërtet e shtyjnë këtë çështje përpara dhe do të vërë në pah se njëri nen i referohet një komisioni të përbashkët të kryesuar nga BE-ja për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes”.
Ndër të tjera, ai ka theksuar mbështetjen në këtë proces edhe të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe presidentit të Italisë, Sergio Mattarella. /Dukagjini/

MARKETING