Hill: Escobar ndodhet në Bruksel, nuk pres rezultate të shpejta nga takimi

Hill: Escobar ndodhet në Bruksel, nuk pres rezultate të shpejta nga takimi

Para takimit të sotëm mes Aleksandar Vuçiqit dhe Albin Kurtit në Bruksel, ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se nuk pret rezultate të shpejta nga takimi i sotëm.
Sipas tij, në Bruksel ndodhet edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar dhe se aty pritet përgjigja e Kurtit dhe Vuçiqit për propozimin europian.

Hill vlerësoi se ky i sotmi është një “takim domethënës” që flet për përkushtimin e Bashkimit Europian për të gjetur një zgjidhje që do të përfitojë të gjithë, të jetë e favorshme.

“Procesi i Brukselit sigurisht që nuk i kënaq njerëzit që presin të jenë të kënaqur menjëherë me rezultatin. Unë besoj se duhet bërë progres sepse kanë kaluar shumë vite pa progres. Tani po punohet që duhet të arrihet një marrëveshje. Nga pikëpamja e SHBA-së, mendoj se është shumë e rëndësishme të arrihet dhe të realizohet Asociacioni Komunave Serbe sa më shpejt”, tha ambasadori Hill gjatë një paraqitje në Kragujevc të Serbisë.

Hill ka treguar se sot në Bruksel ndodhet edhe Gabriel Escobar, i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi.
“SHBA-të mbeten në atë proces, përfaqësuesi ynë Gabriel Escobar është sot në Bruksel, kështu që ne jemi të pranishëm. Dua të theksoj se Amerika dhe BE-ja janë duke bashkëpunuar shumë ngushtë për këtë çështje dhe se jemi plotësisht të përkushtuar që të punojmë së bashku për këtë”, tha Hill dhe vlerësoi se bashkëpunimi mes Amerikës dhe BE’së ka qenë veçanërisht i theksuar në vitin e fundit, kur bëhet fjalë për performancën në lidhje me agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

MARKETING