Heung-min Son njofton largimin nga Tottenhami pas një dekade në Ligën Premier

Heung-min Son njofton largimin nga Tottenhami pas një dekade në Ligën Premier

Kapiteni i Tottenhamit, Heung-min Son, deklaroi të shtunën se do të largohet nga klubi këtë verë, pas një dekade në Londrën Veriore.

Sulmuesi 33-vjeçar iu bashkua Tottenhamit nga Bayer Leverkusen në vitin 2015 dhe ka zhvilluar mbi 450 ndeshje me Spurs. 

 Në maj ai e fitoi trofeun e Ligës së Evropës, por pati një sezon të dobët sipas standardeve të tij, duke u përballur me disa lëndime në këmbë. 

“Para se të nisë konferenca për media, dua të them se kam vendosur të largohem nga klubi këtë verë. Klubi po më mbështet me shumë respekt në këtë vendim”, u shpreh ai para gazetarëve në Seul, ku Tottenham po zhvillon turneun parasezonal.

Son, i cili ka shënuar 173 gola për Tottenhamin, nuk tregoi se ku do të transferohet, por u duk tejet emocional.  

Ai është lidhur me një transferim të mundshëm në MLS në Shtetet e Bashkuara.

“Ishte vendimi më i vështirë në karrierën time. Kam kujtime të mrekullueshme. Ishte shumë e vështirë ta marr këtë vendim”. 

“Kam nevojë për një ambient të ri që të sfidoj veten. Pas 10 vitesh, duhet pak ndryshim”. 

 “Erdha në Londrën Veriore si një djalë 23-vjeçar. Po largohem si një burrë i rritur, shumë krenar”, përfundoi ai.

MARKETING