Hetuesit: Ndjenjat anti-Trump mund të jenë motiv i sulmit

Hetuesit: Ndjenjat anti-Trump mund të jenë motiv i sulmit

Autoritetet amerikane po hetojnë një sulm me armë zjarri që ndodhi gjatë Darkës së Korrespondentëve në Uashington, ku ishin të pranishëm presidenti Donald Trump dhe zyrtarë të lartë të administratës.

Sipas hetuesve, ngjarja mund të jetë nxitur nga ndjenja anti-Trump dhe synime të drejtuara ndaj figurave të qeverisë.

Prokurori i përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche, tha në një intervistë televizive se hetimi është ende në fazë të hershme, por ekziston një pistë e qartë mbi objektivat e mundshëm të sulmit. “Ne besojmë… se ai kishte në shënjestër anëtarët e administratës”, u shpreh Blanche.

I dyshuari, i identifikuar si Cole Tomas Allen, 31 vjeç nga Kalifornia, është arrestuar menjëherë pas incidentit në një hotel në Uashington, pasi u kap nga forcat e rendit ndërsa po largohej me shpejtësi.

Sipas autoriteteve, ai dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri një agjent të Shërbimit Sekret në një pikë kontrolli sigurie në hotelin Washington Hilton. Agjenti ka shpëtuar pa lëndime të rënda, pasi plumbi është ndalur nga jeleku mbrojtës.

Hetuesit po analizojnë gjithashtu një shënim të dyshuar të autorit, ku pretendohet se janë renditur objektiva të mundshëm për sulm, me zyrtarë të administratës Trump në krye të listës. Një zyrtar i çështjes ka konfirmuar për median The Guardian se dokumenti i publikuar nga New York Post është autentik.

Raportohet se i dyshuari u kishte dërguar edhe mesazhe familjarëve pak para sulmit, ku shprehte pakënaqësi ndaj administratës amerikane.

Gjatë incidentit, presidenti Trump, Zonja e Parë Melania Trump, zëvendëspresidenti JD Vance dhe anëtarë të kabinetit u evakuuan me urgjencë.

Ndaj të dyshuarit rëndojnë aktualisht akuza për sulm ndaj një oficeri federal, përdorim të armës së zjarrit dhe tentativë vrasjeje, ndërsa prokuroria ka lënë të hapur mundësinë e akuzave më të rënda në vijim të hetimeve.

MARKETING