Hebrenjtë amerikanë në një tubim në New York kërkuan armëpushim të menjëhershëm në Gaza

Hebrenjtë amerikanë në një tubim në New York kërkuan armëpushim të menjëhershëm në Gaza

Grupet hebraike të cilat angazhohen për paqe “pushtuan” stacionin e njohur të trenave Grand Central në New York të SHBA-së dhe kërkuan armëpushim të menjëhershëm dhe ndalimin e sulmeve izraelite në Gaza, raporton Anadolu.

Një numër i madh amerikanësh me origjinë hebreje iu përgjigjën tubimit të quajtur “Zëri hebre për Paqe”. Gjatë tubimit në Grand Central, mund të shiheshin pankarta me mbishkrimet: “Palestina duhet të jetë e lirë”, “Armëpushim, tani”, “Okuponi Grand Central për të kërkuar armëpushim tani”, “Qëndroni me ne në anën e duhur të historisë”.

“Tashmë 7.000 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se një milion janë zhvendosur. Udhëheqësit izraelitë vazhdojnë të përdorin hapur retorikën e gjenocidit”, u tha gjatë tubimit. Anëtarët e organizatës hebraike kanë brohoritur edhe slogane si “Nuk lejojmë të bëhet gjenocid në emrin tonë” dhe “Armëpushim momental”.

Të paktën 7.326 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 7 tetori. Rreth 70 për qind janë gra dhe fëmijë palestinezë, sipas të dhënave zyrtare. Rreth 2.3 milionë banorë të Gazës po luftojnë me mungesën e ushqimit, ujit dhe ilaçeve për shkak të bombardimeve masive ajrore izraelite dhe një bllokadë të plotë të enklavës.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (AP-OKB) miratoi mbrëmë një rezolutë që bën thirrje për armëpushim urgjent humanitar në Gaza.

MARKETING