Haxhiu reagon ndaj Speciales: Absurd ndalimi i Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait

Haxhiu reagon ndaj Speciales: Absurd ndalimi i Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si absurd vendimin për të mos lejuar ish-presidentin Hashim Thaçi të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

“Proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta e të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit. Andaj, krejt absurde nga ajo që kuptuam nga mediat se ish-presidentit Thaçi nuk i është dhënë leja për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babës”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka paralajmëruar se do t’i drejtohet me një letër kryetares së Dhomave të Specializuara për të kërkuar shpjegime rreth këtij vendimi.

Vendimi për moslejimin e Thaçit ka ngjallur reagime të shumta në Kosovë, me shumë zëra që e kanë cilësuar si shkelje të të drejtave themelore njerëzore.

Lajmin për vendimin e Speciales e bëri të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes një postimi.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur indinjatën dhe revoltën e saj të thellë ndaj vendimit të padrejtë, jo human dhe të papranueshëm të Gjykatës Speciale, e cila ka refuzuar lirimin e bashkëluftëtarit të tyre, ish-presidentit Hashim Thaçi që të marrë pjesë në ceremoninë mortore dhe të japë lamtumirën e fundit babait të tij./Telegrafi/

MARKETING