Hapet Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Strugë

Hapet Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Strugë

Është hapur sot zyrtarisht Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Strugë të Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu.

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, dhe zyrtarë të tjerë nga të dy vendet.

Sipas një njoftimi nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Hasani ka deklaruar se konsullata do të ndihmojë gjithashtu në forcimin e lidhjeve mes institucioneve dhe komuniteteve në të dy vendet, duke krijuar sipas tij hapësira për bashkëpunim ekonomik, kulturor dhe arsimor.

“Sot, së bashku me kolegun Timço Mucunski, hapëm zyrtarisht Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë në Strugë. Një moment i rëndësishëm për të qenë më pranë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve me hapa konkretë”, ka shkruar Hasani në rrjetet sociale.

Ministri Hasani ka theksuar se kjo prani e re diplomatike do të ofrojë mbështetje reale në terren dhe do të shërbejë sipas tij si një urë për më shumë lidhje, bashkëpunim dhe komunikim të drejtpërdrejtë.

Në kuadër të hapjes së konsullatës, ministrat Hasani dhe Mucunski zhvilluan gjithashtu një takim dypalësh, ku sipas ministrisë diskutuan mbi bashkëpunimin rajonal, procesin e integrimit në BE dhe zhvillimet aktuale në Evropën Juglindore. “Të dy palët riafirmuan angazhimin për të çuar përpara marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në mënyrë pragmatike dhe të qëndrueshme”, thuhet në njoftim.

Sipas autoriteteve shqiptare, konsullata e re do të mbulojë zonat e Strugës, Ohrit, Manastirit, Kërçovës, Dibrës, Gjevgjelisë dhe Resnjës.

MARKETING