Hapet Ambasada e Kazakistanit në Shkup

Me një ceremoni solemne të mbajtur sot në Shkup, u hap zyrtarisht Ambasada e Republikës së Kazakistanit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, duke shënuar njëkohësisht edhe 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Ambasadori i Kazakistanit, Satibaldi Burshakov, në fjalimin e tij e cilësoi këtë hap si një moment historik në marrëdhëniet bilaterale, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të deritanishëm dhe potencialin për thellim të mëtejshëm të lidhjeve.
“Jemi dëshmitarë të një momenti historik për raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Kazakistanit, në përvjetorin e 30-të të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Viti që lamë pas ishte i pasur me aktivitete dhe rezultate të përbashkëta. Hapja e ambasadës është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve tona,” deklaroi Burshakov.
Ai nënvizoi se bashkëpunimi mes dy vendeve po zgjerohet në disa fusha, përfshirë energjetikën, shëndetësinë dhe teknologjinë. Në këtë kontekst, ambasadori përmendi takimet e zhvilluara me presidenten e vendit Gordana Siljanovska-Davkova, ministren e Energjetikës Sanja Bozhinovska dhe ministrin e Punëve të Jashtme Timço Mucunski, si dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal ndërmjet qytetit të Kumanovës dhe Karagandës së Kazakistanit.
“Historia jonë e përbashkët, që nga shpallja e pavarësisë së të dy vendeve në vitin 1991, ka krijuar një bazë të fortë për ndërtimin e një partneriteti afatgjatë. Jemi të bindur se përpara nesh hapen horizonte të reja bashkëpunimi,” shtoi ambasadori kazak.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, përshëndeti vendimin e Kazakistanit për të hapur një ambasadë rezidente në Shkup, duke e quajtur atë një “hap miqësor dhe pozitiv”.
“Në vitet e fundit kemi parë përparim të ndjeshëm në dialogun politik, bashkëpunimin ekonomik dhe mbështetjen ndërkombëtare. Prania e ambasadës rezidente është dëshmi e angazhimit të ndërsjellë për të forcuar marrëdhëniet, pavarësisht distancës gjeografike,” deklaroi Mucunski.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues diplomatikë, përfaqësues të sektorit publik dhe privat, duke e bërë këtë një moment të rëndësishëm për diplomacinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në rajon.