Hapen qendrat e votimit në SHBA, miliona votues do të zgjedhin presidentin e ardhshëm

Hapen qendrat e votimit në SHBA, miliona votues do të zgjedhin presidentin e ardhshëm

Miliona amerikanë kanë filluar të hedhin votat e tyre pas hapjes së qendrave të votimit në të gjithë SHBA-në në zgjedhjet presidenciale ku pritet një garë e ashpër midis kandidates demokrate Kamala Harris dhe kandidatit republikan Donald Trump, raporton Anadolu.

Qendrat e para të votimit filluan të hapen në orët e mëngjesit sipas kohës lokale, ndërsa ndër të parat ishin shtetet lindore si Vermont, Connecticut, New Jersey, New York dhe Virginia, si dhe pjesë të shteteve Kentucky dhe Maine.

Me kalimin e ditës, për shkak të dallimeve kohore, qendrat e votimit do të vazhdojnë të hapen në të gjithë SHBA-në, ku të fundit do të jenë qendrat e votimit në shtetet Alaska dhe Hawaii.

Mbyllja e qendrave të votimit në disa shtete do të ndodh në orën 19:00 sipas kohës lokale (ora 01:00 CET), ndërsa qendrat e votimin në shtetin e Alaskës mbeten të hapura më së voni (deri në orën 07:00 CET).

Kushdo që është në radhë në kohën e mbylljes së qendrave të votimit do të lejohet të votojë. Kjo nënkupton se qendrat e votimit mund të qëndrojnë të hapura përtej kohës së mbylljes së tyre zyrtare, për sa kohë që votuesit qëndrojnë në radhë.

Gati 83 milionë njerëz hodhën votat e parakohshme në ciklin zgjedhor të këtij viti me postë ose duke votuar personalisht, sipas të dhënave nga Laboratori Zgjedhor i Universitetit të Floridës. Kjo është shumë më pak se mbi 101 milionë që e bënë këtë në vitin 2020, kur SHBA ishte e përfshirë nga pandemia COVID-19.

Trump dhe Harris kanë qenë në një garë të ngushtë në nivel kombëtar, me kandidaten Harris vetëm +0,1 për qind në epërsi me 48,7 për qind dhe Trump me 48,6 për qind, sipas një përmbledhjeje të sondazheve të përpiluar nga faqja e internetit RealClearPolitics

– “Shtetet e luhatshme”, kyçe për garën

Gara presidenciale me siguri do të përcaktohet nga rezultatet në shtatë “shtetet e luhatshme”: Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, Pennsylvania, Karolina e Veriut dhe Wisconsin. Në këto shtete, kandidatët përballen me sondazhe të ngushta me dallime që bien në suaza të gabimit të sondazheve.

Kryesimi i kandidatit Trump është më i madh në Arizona, ku ai është në epërsi me 2,8 për qind, më pas në Georgia (+1,3%), Karolina e Veriut (+1,2%), Nevada (+0,6%) dhe Pennsylvania (+0,4%). Harris vazhdon të kryesojë në Michigan (+0,5%) dhe Wisconsin (+0,4%).

Sondazhet kanë marzhe gabimi prej rreth 3-5 për qind.

Të dy kandidatët kaluan javën e fundit para zgjedhjeve duke bërë fushatë të fuqishme në shumë shtete.

Ka shumë pak gjasa që organizatat e mëdha mediatike të shpallin fitues të martën mbrëma sipas kohës lokale, siç ishte rregulli deri në vitin 2020, për shkak të afërsisë së garës në shtetet kyçe.

Këto shtetet kyçe pritet të jenë thelbësore në zgjedhje, sepse ndryshe nga shumica e demokracive moderne, SHBA nuk i zgjedh drejtpërdrejt presidentët e saj. Në vend të kësaj, procesi zhvillohet përmes Kolegjit Zgjedhor, ku 538 përfaqësues votojnë në përputhje me rezultatet e shteteve të tyre.

Kandidati duhet të sigurojë 270 vota të Kolegjit Zgjedhor për të shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale. Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor ndahen në shtete bazuar në popullsinë e tyre dhe shumica e shteteve i japin të gjithë votat e tyre cilitdo kandidat që fiton atë shtet në votimin e përgjithshëm.

Megjithatë, parimi “fituesi i merr të gjitha” nuk zbatohet në Nebraska dhe Maine, të cilat i shpërndajnë votat e tyre në proporcion, bazuar në rezultatin zgjedhor.

– Votohet edhe përbërje e re e Kongresit

Më tej në fletëvotim, votuesit do të përcaktojnë përbërjen e ardhshme të Kongresit Amerikan.

Në Senat, 34 vende janë në dispozicion për zgjedhje. Senatorët zgjidhen për një mandat gjashtëvjeçar dhe një e treta zgjidhen çdo dy vjet. Paqartësi më të mëdha ka për katër nga ulëset dhe gara konsiderohet më e ngushtë, përfshirë garat në Michigan, Ohio, Pennsylvania dhe Wisconsin, që aktualisht mbahen nga demokratët.

Republikanët janë më në epërsi për të fituar kontrollin numerik të Senatit, por kushdo që do të dalë fitimtar, do të ketë një shumicë të pasigurt. Në Senatin me 100 vende, për shkak të rregullave procedurale, partive shpesh u duhen 60 dhe jo vetëm 50 vota për të miratuar legjislacionin.

Gara gjithashtu zhvillohet për të gjitha 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, ku ngjashëm si gara për në Senat, shumica e parashikimeve paralajmërojnë numër të ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë. Vetëm në disa raste ku mund të bëhet dallimi do të përcaktohen nëse republikanët apo demokratët do të kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve.

Gjithashtu, varësisht nga iniciativat e ndryshme, votime mbahen në nivele të shteteve përkatëse dhe në nivele lokale. Në disa raste, votuesit do të vendosin për një sërë nismash dhe garash, duke filluar nga bordet e shkollave, deri te masat e iniciativat në nivel shtetëror që mund të mbajnë peshën e ligjit. Gjithashtu, ka 11 gara për guvernator në të gjithë SHBA-në.

MARKETING