Hamilton: Roma nuk u ndërtua në një ditë, rikthimi i Ferrari në majë kërkon kohë

Hamilton: Roma nuk u ndërtua në një ditë, rikthimi i Ferrari në majë kërkon kohë

Lewis Hamilton është ende duke ndjekur podiumin e tij të parë në Formula 1 si pilot i Ferrari në vitin 2025. Ai fitoi në Kinë dhe përfundoi i treti në Miami, por ato ishin dy gara sprint. Në garën e fundit, në Teksas, ai iu afrua përsëri podiumit, duke zënë vendin e katërt për herë të katërt këtë sezon.

Gjithsesi, 7 herë kampioni i botës, është i kënaqur sepse, pas pushimeve verore, ai po sheh përparim të prekshëm në integrimin e tij brenda skuadrës Ferrari. “Ndjej sikur po shkojmë në drejtimin e duhur. Mos harroni, Roma nuk u ndërtua në një ditë,” tha Lewis Hamilton para garës në Meksikë.

“Duhet kohë për t’u ndërtuar nga e para gjithçka këtu. Duke qenë viti im i parë me ekipin, doja të isha i respektueshëm për mënyrën se si i kanë bërë gjërat në të kaluarën dhe thjesht të vëzhgoja dhe të shihja se cilat janë pikat tona të forta dhe të dobëta, për të nxjerrë në pah se cilat janë fushat ku duhet të punojmë”, shtoi britaniku.

Më tej, Hamilton tha: “Mendoj se po fillojmë të shohim disa nga ndikimet e punës që po bëjmë prapa skenave. Ndihem sikur ekipi po përgjigjet dhe shpresoj që kjo punë të ketë ndikim edhe në makinën e vitit të ardhshëm. SF-25 është një makinë që nuk e kam ndihmuar ta zhvilloj gjatë viteve”.

“Shpresoj që nga viti i ardhshëm, kontributi im do të përfshihet në makinën e vitit 2026, e cila do të jetë një makinë që e kam ndihmuar ose do ta ndihmoj ta zhvilloj. Mendoj se po bëjmë vërtet përparim me ekipin dhe kemi një marrëdhënie të shkëlqyer, veçanërisht pas pushimeve të verës”, deklaroi britaniku.

“Mendoj se gjërat kanë filluar të përmirësohen dhe gjithçka ka të bëjë me ndërtimin e besimit dhe komunikimit. Gjithashtu, po bashkohem me një ekip ku anglishtja nuk është gjuha e parë dhe nuk flas italisht, kështu që ka të bëjë me gjetjen e një gjuhe të përbashkët. Dhe fakti është se të gjithë duam të fitojmë“, tha Hamilton.

“Jemi të gjithë këtu për të njëjtin qëllim dhe thjesht duhet të vazhdojmë të shtyjmë përpara. Kjo është arsyeja pse përpiqem t’i mbaj të gjithë të motivuar në fundjava të vështira, duke u përpjekur t’ua mbaj moralin lart. Por këtë vit, ndryshuam shumë, shumë gjëra që sugjerova, të cilat nuk ishin bërë në të kaluarën, kështu që ata më dëgjuan”, shtoi piloti i “kokëkuqes”.

Në fund, Hamilton tha: “Jo gjithçka ndryshon menjëherë. Duhet kohë për të ndërtuar diçka. Dhe si inxhinierë, ata kanë nevojë për prova. Ata kanë nevojë për numra. Kjo është ajo me të cilën punojnë. Kështu që ndonjëherë duhet të shtysh përpara për të arritur ndryshime të caktuara”.

MARKETING