Hamasi dhe Izraeli shkëmbejnë listat e të burgosurve

Hamasi ka bërë të ditur se ka shkëmbyer me delegacionin izraelit listat e të burgosurve palestinezë që do të lirohen, teksa negociatat për armëpushim në Rripin e Gazës vazhdojnë në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, transmeton Anadolu.
“Sot, listat e të burgosurve që do të lirohen u shkëmbyen në përputhje me kriteret dhe numrat e dakorduara”, tha në rrjetet sociale Taher al-Nunu, këshilltar për mediat i kreut të byrosë politike të grupit, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Ai tha se negociatat në Sharm el-Sheikh u “përqendruan në mekanizmat për t’i dhënë fund luftës, tërheqjen e forcave pushtuese nga Gaza dhe shkëmbimin e të burgosurve”.
Bisedimet indirekte midis Hamasit dhe Izraelit filluan të hënën në qytetin egjiptian për të bërë përparim në një plan armëpushimi prej 20-pikash në Gaza, të zbuluar nga presidenti amerikan, Donald Trump.
Plani përfshin lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë, përfundimin e luftës që ka marrë të paktën 67.200 jetë palestineze që nga tetori i vitit 2023, qeverisjen e Rripit të Gazës përmes një komiteti palestinez dhe rindërtimin e enklavës.