Ham’asi: Çarmatimi, pa zbatuar fazën e parë të marrëveshjes për Gazën bie ndesh me planin e Trumpit

Ham’asi: Çarmatimi, pa zbatuar fazën e parë të marrëveshjes për Gazën bie ndesh me planin e Trumpit

Këmbëngulja në çarmatim dhe anashkalimi i kërkesave të fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza bie ndesh me planin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Rripin e Gazës, tha një zëdhënës i grupit palestinez Hamas.

“Lidhja e zbatimit të detyrimeve të armëpushimit në Gaza me çështjen e çarmatimit i ndërlikon negociatat për fazën e dytë”, tha për Anadolu, Hazem Qassem një zëdhënës i grupit palestinez.

Vërejtjet e Qassem-it pasuan një takim të mbajtur gjatë javës së kaluar në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, i cili mblodhi së bashku udhëheqësin e Hamasit në Gaza, Khalil al-Hayya, zyrtarët egjiptianë, përfaqësuesin e lartë për Gazën në Bordin e Paqes, Nikolay Mladenov dhe këshilltarin e lartë të SHBA-së, Aryeh Lightstone.

Zëdhënësi i Hamasit bëri thirrje për zbatimin e detyrimeve të fazës së parë përpara se të kalohet në diskutime të mëtejshme. Shtatorin e kaluar, Trumpi njoftoi një plan për t’i dhënë fund luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza. Faza e parë përfshin armëpushim, tërheqje të pjesshme të Izraelit, lirimin e robërve të mbetur izraelitë në Rrip dhe hyrjen e 600 kamionëve me ndihma.

Hamasi thotë se ndërsa iu përmbajt angazhimeve të fazës së parë duke liruar robërit izraelitë, Izraeli dështoi të përmbushte detyrimet e tij humanitare dhe vazhdoi sulmet e tij, duke vrarë 786 palestinezë dhe duke plagosur 2.217 të tjerë.

Faza e dytë përfshin tërheqjen më të gjerë të ushtrisë izraelite nga Gaza, e cila vazhdon të pushtojë më shumë se 50 për qind të zonës së saj, rindërtimin dhe fillimin e çarmatimit të fraksioneve, diçka që Izraeli gjithashtu nuk e ka zbatuar, duke këmbëngulur në çarmatim së pari.

Lidhur me kërcënimet izraelite për t’u rikthyer në luftime, Qassemi i quajti ato “mjete presioni” që nuk do të kenë sukses, duke thënë se “Izraeli nuk e ka ndaluar në të vërtetë luftën”, mes vrasjeve të vazhdueshme, pushtimit të pjesëve të Rripit dhe kufizimeve të ndihmës.

Të dielën, ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich përsëriti thirrjen e tij për të ripushtuar plotësisht Gazën dhe për të krijuar vendbanime atje, sipas “Channel 14”.

 

– “Izraeli vazhdon kokëfortësinë e tij”

“Hamasi dhe fraksionet palestineze zhvilluan diskutime gjatë dy javëve të fundit me ndërmjetës dhe vende garantuese”, tha Qassemi.

Ai tha se bisedimet u përqendruan në zbatimin e angazhimeve të fazës së parë, ndalimin e shkeljeve ndërsa trajtuan edhe fazën e dytë, përfshirë çështjen e armëve. Pengesa kryesore është “pozicioni i papajtueshëm izraelit” dhe lidhja e të gjitha rrugëve me çarmatimin, argumentoi Qassemi.

Angazhimet e fazës së parë që do të zbatohen përfshijnë mundësimin e Komitetit Kombëtar për të menaxhuar Gazën, sjelljen e ndihmave dhe materialeve për strehim, mbështetjen e sektorit të shëndetësisë dhe hapjen e plotë të kalimeve.

Komiteti Kombëtar për administrimin e Gazës filloi punën e tij në Kajro në mesin e janarit, një ditë pasi u njoftua formimi i tij. Megjithatë, komiteti ende nuk ka filluar të veprojë brenda Gazës, pavarësisht se Hamasi deklaroi se marrëveshjet logjistike dhe administrative për transferimin e detyrave të administratës civile kanë përfunduar.

Hyrja e anëtarëve të komitetit kërkon koordinim përmes kalimeve të kontrolluara nga Izraeli ndërsa asnjë deklaratë zyrtare nuk ka sqaruar arsyet e vonesës dhe Izraeli nuk ka komentuar për këtë çështje.

Të dielën, Hamasi u bëri thirrje ndërmjetësve, pas takimeve në Kajro me fraksione dhe ndërmjetës palestinezë të paidentifikuar, të ushtrojnë presion mbi Tel Avivin për të zbatuar dispozitat e fazës së parë të marrëveshjes së armëpushimit, si një paraprirje për bisedime serioze mbi fazën e dytë.

Lidhur me takimet në Kajro, Qassemi tha se Hamasi po angazhohet “në mënyrë të përgjegjshme dhe pozitive” me propozime dhe do të përgjigjet pas përfundimit të konsultimeve me udhëheqjen e tij dhe fraksionet palestineze. Ai thekson nevojën për të siguruar që lufta të mos rifillojë, duke pohuar angazhimin e palestinezëve për të drejtat e tyre, kryesisht midis tyre vetëvendosjen.

Qassemi u kërkoi ndërmjetësve dhe garantuesve të marrëveshjes të “luajnë rolin e tyre në gjetjen e qasjeve logjike dhe të arsyeshme të pranueshme për popullin palestinez”. Hamasi “sheh paaftësi të plotë nga Bordi i Paqes në trajtimin e situatës në Gaza”, shtoi ai.

Zyrtari i Hamasit akuzoi Bordin e Paqes për “paragjykim ndaj qëndrimit izraelit”, duke thënë se ose nuk është në gjendje të bëjë presion mbi pushtimin për të ndaluar shkeljet dhe për të zbatuar angazhimet ose nuk është i gatshëm ta bëjë këtë.

Më 15 janar, Trumpi njoftoi krijimin e Bordit të Paqes, i përshkruar si një organizatë ndërkombëtare që synon promovimin e stabilitetit, rindërtimin e qeverisjes së besueshme dhe legjitime dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura nga konflikti ose në rrezik.

Qassemi tha se situata humanitare mbetet e rëndë, duke shtuar se Izraeli nuk po i përmbahet marrëveshjes, duke mbyllur kalimet, duke kufizuar ndihmën dhe duke vrarë civilë çdo ditë.

Kalimi i Rafah-ut nuk po funksionon siç është rënë dakord, shtoi ai.

Të dielën, Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe njoftoi se vetëm rreth 700 pacientë kanë qenë në gjendje të largohen nga Gaza për trajtim jashtë vendit që kur kalimi i Rafah u rihap pjesërisht më 2 shkurt ndërsa mbi 18 mijë pacientë dhe të plagosur janë ende në pritje të evakuimit mjekësor për shkak të kufizimeve izraelite.

MARKETING