Haaretz: Një dokument izraelit parasheh zhvendosjen e banorëve të Gazës në Sinai

Haaretz: Një dokument izraelit parasheh zhvendosjen e banorëve të Gazës në Sinai

Izraeli pranoi të hënën se Ministria e saj e Inteligjencës hartoi një propozim që përfshinte tri alternativa për situatën e pasluftës në Gaza, duke përfshirë zhvendosjen e banorëve të saj në Gadishullin Sinai të Egjiptit, transmeton Anadolu.

Gazeta izraelite Haaretz tha se dokumenti, i cili u shpërnda gjerësisht në mediat izraelite, mban datën 13 tetor, vetëm gjashtë ditë pasi grupi palestinez Hamas filloi sulmin e befasishëm ndërkufitar, pas të cilit nisën bombardimet izraelite në Gaza.

Dokumenti parasheh tri alternativa, të cilat përfshijnë qëndrimin e banorëve në Gaza me kthimin e Autoritetit Palestinez në Rripin e Gazës, qëndrimin e banorëve në Gaza nëse del një pushtet i ri i arabëve lokalë, ose zhvendosjen e tyre nga Gaza në Gadishullin Sinai.

Dokumenti tregon se alternativa e tretë do të arrinte rezultate strategjike, është e realizueshme dhe kërkon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera që mbështesin Izraelin për të arritur qëllimet e tyre.

Alternativa e parë dhe e dytë kanë mangësi të konsiderueshme, veçanërisht për sa u përket pasojave strategjike dhe realizueshmërisë së tyre afatgjatë, pasi asnjëra prej tyre nuk do të jepte efektin e nevojshëm parandalues, shton dokumenti.

“Izraeli fillimisht mund të zhvendosë popullsinë e Rripit në qytete me tenda, që më vonë do të pasohej me krijimin e komuniteteve të përhershme në Sinain verior”, sugjeron dokumenti.

Në javët e fundit, si presidenti palestinez Mahmoud Abbas po ashtu edhe ai egjiptian Abdel Fattah al-Sisi kanë hedhur poshtë me forcë idenë e zhvendosjes së banorëve të Gazës në Sinai.

“SHBA-ja i ka kundërshtuar publikisht dhe privatisht planet e tilla. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e quajti atë ‘të pasuksesshëm’ pas diplomacisë së tij ‘shuttle’ menjëherë pas 7 tetorit”, sipas Haaretz.

Haaretz tha se presidenti amerikan Joe Biden dhe al-Sisi diskutuan në fundjavë “për të siguruar që palestinezët në Gaza të mos zhvendosen në Egjipt apo në ndonjë vend tjetër.

Gazeta izraelite vazhdoi se Ministria e Inteligjencës konfirmoi ekzistencën e dokumentit, por një burim i njohur me hartimin e tij tha se kabineti nuk pritet të debatojë mbi propozimin dhe se ministria nuk është trup qeveritar që do të jetë përgjegjës për një vendim apo përpilim të tillë.

Haaretz theksoi se “burimet në ministri minimizuan rëndësinë e dokumentit. Por, kjo është prova e parë që zyrtarët e qeverisë izraelite po shqyrtojnë strategjitë e daljes pasi të arrihet qëllimi i Izraelit për t’i dhënë fund sundimit të Hamasit në Gaza, duke shtuar se “dokumenti pranon se zhvendosja e popullsisë së Gazës nuk do të fitonte legjitimitet ndërkombëtar, por pretendon se do të zvogëlonte numrin e viktimave në mesin e popullsisë së Gazës.

Sa i përket qëndrimit zyrtar, gazeta shkruan se “Kryeministri në përgjigje të këtij shkrimi tha se ky është një dokument fillestar i atij lloji që mund të gjendet në dhjetëra ekzemplarë në të gjitha nivelet e qeverisë dhe të shërbimeve të sigurisë. Çështja e ‘të nesërmes’ nuk është diskutuar në asnjë forum zyrtar në Izrael, i cili tani është i fokusuar në eliminimin e aftësive qeveritare dhe ushtarake të Hamasit”.

MARKETING