Gucati nga Shkupi: Falë Izet Mexhitit, kufiri i hapur për veteranët e UÇK-së

Gucati nga Shkupi: Falë Izet Mexhitit, kufiri i hapur për veteranët e UÇK-së

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka deklaruar sot nga sheshi “Skënderbe” në Shkup, ku u mbajt një protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë, se nuk ka pasur asnjë problem në qarkullimin e qytetarëve dhe veteranëve në kufirin me Maqedoninë e Veriut.

Gucati falënderoi kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, për, siç u shpreh ai, garantimin e lëvizjes së lirë të veteranëve dhe ish-luftëtarëve të UÇK-së.

“Që nga momenti kur gjeneralët e UÇK-së mbërritën në Shkup, kufiri është i qetë. Qytetarët po kalojnë pa pengesa dhe nuk ka kontrolle të detajuara. Dua të falënderoj të gjithë iniciatorët që morën masa dhe dërguan doganierë dhe policë shqiptarë në kufi, pasi ky është suksesi më i madh. Më ka kontaktuar edhe kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, të cilin e falënderoj shumë, duke garantuar se kufiri do të jetë dhe është i hapur për të gjithë qytetarët që vijnë në protestë sot”, ka deklaruar Gucati.

Ai theksoi se gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe ndaj luftës çlirimtare, sipas tij, është rezultat i vullnetit të Rusisë dhe Serbisë, duke përmendur edhe raportin e Dick Marty-t.

“Besoj fuqishëm se e gjithë kjo është iniciuar nga ambasada serbe, në bashkëpunim me atë ruse në Zvicër”, u shpreh Gucati.

MARKETING