Guardiola i thur lavde Arsenalit para duelit “final” mes tyre
MARKETING
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka dhënë një deklaratë plot respekt për Arsenalin pas fitores bindëse 0:3 ndaj Chelseat, në një moment kyç të garës për titull.
Duke folur për përballjen e ardhshme direkte, ai theksoi se ndeshja në “Etihad” do të jetë krejtësisht ndryshe:
“Tani do të jetë pak më ndryshe. Në ‘Etihad’, në shtëpi, City është në formë shumë të mirë, por respekti që kam për Arsenalin – për atë që kanë bërë në dy apo tre vitet e fundit – është i madh.”
Guardiola vlerësoi lart cilësinë dhe vazhdimësinë e rivalit, duke shtuar: “Mënyra se si ata konkurrojnë në çdo rrethanë, ky do të jetë aspekti më i madh ku duhet të punojmë në aspektin mendor.”
Ai pranoi se përballja do të jetë një sfidë edhe në planin taktik, duke lënë të hapur mundësinë për ndryshime nga të dyja ekipet: “Është edhe çështje taktike, ndoshta ata do të ndryshojnë diçka, ndoshta edhe ne do të ndryshojmë diçka.”
Trajneri i Cityt nuk kurseu superlativat për Arsenalin, duke e cilësuar si ekipin më të mirë aktualisht: “Por deri më tani, ata kanë qenë skuadra më e mirë në këtë vend dhe në Europë.”
Ai theksoi edhe vështirësinë e madhe për ta mposhtur skuadrën londineze: “Të mundësh Arsenalin një herë është shumë e vështirë, imagjinoni ta mundësh dy herë brenda pak javësh.”
Në fund, Guardiola u bëri thirrje tifozëve për mbështetje maksimale: “Dua t’u them tifozëve tanë: respektoni shumë Arsenalin. Ata janë një skuadër e jashtëzakonshme.
Por në të njëjtën kohë: ejani me ne dhe na mbështesni që nga minuta e parë. Lojtarët do të japin maksimumin.”
Përballja mes Manchester Cityt dhe Arsenalit pritet të jetë vendimtare në garën për titull, me të dy skuadrat që luftojnë për supremaci në javët e fundit të sezonit.

