Greqi, numri javor i rasteve të gripit mund të rritet në 350 mijë
Ekspertët në Greqi paralajmëruan se numri i rasteve javore mund të rritet në 350 mijë me, pasi me ftohjen e kohës po përjetohen rritje serioze të rasteve të gripit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Matina Pagoni, kryetarja e Shoqatës së Mjekëve të Spitaleve Shtetërore Athinë-Pire (EINAP) ka bërë të ditur se rastet e gripit do të arrijnë në nivelin më të lartë në muajt janar-shkurt dhe se vaksina e gripit ul në masë të madhe rrezikun e prekjes nga sëmundja.
Edhe Nikos Canakis, ekspert në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Kretës, në një deklaratë tërhoqi vëmendjen mbi rritjen serioze në rastet e gripit dhe bëri të ditur se do të rritet presioni nëpër spitalet e vendit.
Numri i rasteve javore mund të arrijë në 350 mijë, vlerësoi Canakis, duke shtuar se “nuk ka nevojë për panik. Sistemi shëndetësor ka parë edhe më keq”.
Duke vënë në dukje edhe problemin e mungesës së ilaçeve që përjetohet në të gjithë vendin, Canakis theksoi se mungesa e vetme në spitalin Iraklio ku ai punon vetë është paracetamoli në formë injeksioni dhe se me një mënyrë të përshtatshme mund ta tejkalojnë këtë problem.
Ministri grek i Shëndetësisë, Thanos Plevris, i ka dërguar një letër BE-së lidhur me mungesën e ilaçeve.
“Problemi lidhur me mjaftueshmërinë e disa ilaçeve është rritur në mënyrë të vazhdueshme në të gjithë BE-në kohët e fundit. Vendet po përpiqen ta zgjidhin vetë këtë problem. Por është e nevojshme që të ketë politika qendrore në të gjithë BE-në”, ka theksuar Plevris.