Granit Xhaka mund të rikthehet në Ligën Premier, një skuadër angleze fillon bisedimet me Leverkusenin

Granit Xhakës i është ofruar një rikthim befasues në Ligën Premier nga Sunderland, skuadra e sapongjitur në elitën e futbollit anglez.
Sipas gazetarit Sacha Tavolieri, ‘Macet e Zeza’ kanë bërë një lëvizje të guximshme për të siguruar shërbimet e ish-kapitenit të Arsenalit.
Xhaka pritet të largohet nga Bayer Leverkusen këtë verë, pas vetëm dy sezonesh të suksesshme në Bundesligë.
Po ashtu, klubi anglez është i gatshëm t’i ofrojë 32-vjeçarit një kontratë trevjeçare për ta bindur në këtë aventurë të re.
Sunderland u ngjit në Ligën Premier nëpërmjet play-off dhe po kërkon përforcime me përvojë për të siguruar mbijetesën.
Për Xhakën, kjo do të ishte një rikthim i bujshëm në Angli, ku kaloi shtatë vite me Arsenalin, përpara se të transferohej në Leverkusen.
Edhe gjigantët italianë si Juventus, Milan e Inter ishin në garë për Xhakën, por që transferimi në Serie A përfundimisht nuk do të kryhet.
Xhaka aktualisht është në bisedime edhe me skuadrën arabe Neom SC.