Gordana Siljanovska-Davkova: Gjuha shqipe është pjesë e mozaikut madhështor të diversitetit që është investim për të ardhmen e atdheut tonë të përbashkët
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, ka uruar komunitetin shqiptar me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke e vlerësuar këtë datë si simbol të përparimit kulturor, historik dhe arsimor të shqiptarëve.
“Me respekt të veçantë ju uroj 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqiptar – një festë që përfaqëson një simbol të fuqishëm të përpjekjeve iluministe, pjekurisë kulturore dhe përvojës historike të popullit shqiptar”, thuhet në urimin e saj.
Presidentja kujtoi se para 117 vitesh, alfabeti i unifikuar i gjuhës shqipe nisi rrugëtimin e tij nga Kongresi i Manastirit, si kodi më i rëndësishëm i komunikimit për një popull.
“Sot, ky përvjetor na rikujton se gjuha dhe shkrimi janë vlera themelore që formësojnë identitetin kolektiv dhe forcojnë lidhjen shpirtërore ndërmjet brezave”, theksoi ajo.
Siljanovska Davkova nënvizoi se respekti ndaj gjuhës dhe shkrimit të çdo komuniteti e forcon kohezionin social dhe e bashkon shoqërinë multietnike të vendit.
“Gjuha shqipe është pjesë e mozaikut të pasur të shumëllojshmërisë, që përbën një investim për të ardhmen e atdheut tonë të përbashkët”, deklaroi presidentja.
Ajo shprehu vlerësim të veçantë për kontributin e vazhdueshëm të shqiptarëve në arsim, kulturë dhe në jetën shoqërore të shtetit.
“Në këtë ditë, shprehim mirënjohje për kontributin tuaj të pandërprerë në zhvillimin arsimor e kulturor, me të cilin pasurohet gjithë shoqëria jonë”, u shpreh presidentja.
Në përfundim, Siljanovska Davkova theksoi mesazhin e unitetit dhe barazisë: “Le të na jetë i gëzuar Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe. Vazhdonim së bashku të ndërtojmë shtetin në frymën e respektit, barazisë dhe unitetit”.

