Goditje e rëndë për Real Madridin, ekziston frika se ylli i skuadrës ka këputur ligamentin
Real Madrid mund të përballet sërish me një situatë shqetësuese dëmtimesh, edhe një herë e lidhur me Rodrygon.
Gazetari Ramon Alvarez ka zbuluar se klubi po kryen ekzaminime të tjera mjekësore për anësorin brazilian, mes frikës se problemi mund të jetë më serioz sesa u mendua fillimisht.
Problemet e Rodrygos nisën gjatë fitores 2-1 në shtëpi ndaj Rayo Vallecano më 1 shkurt, kur sulmuesi u detyrua të largohej nga fusha pas vetëm 13 minutash lojë, duke shfaqur qartë shqetësim fizik.
Pak më vonë, Real Madrid konfirmoi se ai ishte diagnostikuar me tendinozë në muskulin e pasmë të kofshës së djathtë.
Në atë kohë, parashikimet fillestare sugjeronin një mungesë prej rreth dhjetë ditësh.
Pavarësisht rikthimit në seanca të lehta stërvitore, sulmuesi brazilian nuk u përfshi në skuadër për gati një muaj, pasi klubi zgjodhi të veprojë me kujdes maksimal, duke shmangur çdo rrezik të panevojshëm.
Tani ai pësoi një lëndim të ri në disfatën që ‘Los Blancos’ pësuan me rezultat 1-0 të hënën mbrëma ndaj Getafes.
Reprezentuesi brazilian përkundër lëndimit e vazhdoi ndeshjen, por tashmë është konfirmuar mungesa e tij për duelin e radhës që do ta zhvillojnë ndaj Celta Vigos të premten.Raportimet e fundit nga mediat spanjolle bëjnë me dije se drejtuesit e klubit kanë frikë që 25-vjeçari ka pësuar një këputje të ligamentit, lëndim ky që i ka përcjellë ata shumë gjatë viteve të fundit./

