Gjysma e Maqedonisë së Veriut me ajër të ndotur

Gjysma e Maqedonisë së Veriut me ajër të ndotur

Ajri në Shkup është ekstremisht i keq për shkak të përqendrimeve të larta të grimcave PM10 dhe në Berovë për shkak të përqendrimeve të larta të grimcave PM 2.5, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik. Në Veles, Strumicë, Prilep, Gostivar, cilësia e ajrit kategorizohet si “shumë e keqe” për shkak të tejkalimit të përqindjeve të grimcave PM10, ndërsa në Manastir për shkak të përqendrimeve të larta të grimcave PM2.5. Cilësia e ajrit në Kavadar karakterizohet si “e keqe” për shkak të tejkalimit të përqendrimeve të grimcave PM10 edhe në Koçan, përqendrimeve të larta të grimcave PM 2.5”.

Këto janë të dhënat për cilësinë e ajrit të publikuara nga Instituti i Shëndetit Publik. Sipas Institutit ky lloj ajri I ndotur mund të ketë pasoja shëndetësore direkte dhe indirekte për qytetarët, e sidomos tek grupet e cenueshme.

ISHP

“Rreziku nga shfaqja e dëmtimeve të rënda në zemër rritet për 3-4 herë tek fëmijët nga 0-5 vjet, personat e moshuar, personat me sëmundje kronike, shtatzënat, të sëmurët nga astma, personat që punojnë në mjedise të hapura, personat me diabet, por edhe duhanpirësit. Ata me sëmundje respiratore ekzistuese janë më të rrezikuar”.

Instituti i Shëndetit Publik rekomandon që qytetarët e qyteteve me ajër të ndotur të  qëndrojnë në shtëpi nëse nuk kanë nevojë të dalin jashtë, sidomos ata të qyteteve me ajër ekstremisht të ndotur.  Personat me sëmundje kronike duhet ta marrin me rregull terapinë dhe nëse është e nevojshme, nëse ndjejnë simptoma, duhet ta kontaktojnë menjëherë mjekun amë ose spitalin. Instituti rekomandon maskat mbrojtëse gjatë qëndrimit jashtë si dhe mos hapjen e dritareve.  Nga Instituti sqarojnë se kushdo që përjeton shqetësime të tilla si skuqje ose djegie të syve, kollë ose dhimbje të fytit duhet të bëjë reduktimin e aktivitetit, sidomos atij jashtë. Po ashtu rekomandohen  ushqime të pasura me vitamina (antioksidantë – vitaminë A, vitaminë C dhe E, beta-karoten, likopen, luteinë, selen, mangan dhe të tjera), kryesisht të pranishme në fruta dhe perime. /Agim Fazliu/ SHENJA/

 

MARKETING