Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes vazhdon më 16 maj

Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes vazhdon më 16 maj pasi sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup përfundoi dëshmia e të akuzuarit Lupço Palevski i cili mohoi veprat e dhunshme penale dhe deklaroi se sipas tij motivi për vrasjen është i palogjikshëm dhe i pavërtetuar.
Gjatë marrjes në pyetje, Palevski i cili më parë mohoi çdo lidhje me kallëzimet penale për dhunë, shprehu përsëri bindjen se i gjithë procesi është një persekutim politik kundër tij. Ai kontestoi vlefshmërinë e disa prej provave të prokurorisë dhe paraqiti versionin e tij të ngjarjeve të 22 nëntorit të vitit 2023, ditën kur ndodhën veprat e mundshme penale.
Prokurorja e pyeti Palevskin rreth një dëshmitari që ai pretendon se e ka takuar atë ditë, një person që dyshohet se kishte frikë nga qeni i tij, por Palevski nuk ka mundur ta emërojë atë person. Ai pretendon se dëshmitari është sulmuar fizikisht nga hetuesit, megjithëse nuk ka mundur të japë detaje konkrete rreth tij.
“Nuk më kujtohet emri dhe mbiemri i personit, por ai person ekziston dhe ka pasoja të rënda”, ka thënë Palevski, duke shtuar se mbrojtja e tij planifikon hapa ligjor në këtë drejtim.
Lidhur me komunikimin e tij ditën e ngjarjes, Palevski mohoi se ka qenë aktiv në telefon deri në orën 13:14. Sipas shpjegimit të tij, ai ka shfrytëzuar internet nëpërmjet Telegramit dhe ka shmangur linjat telefonike publike që të mos përgjohet në mënyrë joligjore.
“Nuk u përgjigjem thirrjeve në një linjë të zakonshme, sepse nuk dua të përgjohem ilegalisht, përdor ekskluzivisht Telegramin”, tha i akuzuari.
Sipas tij, analiza telefonike nuk shpjegon kohët e thirrjeve dhe komunikimit në internet, gjë që i bën provat e prokurorisë të paplota.
Lidhur me motivin e vrasjes, Palevski i mohoi të gjitha akuzat, duke theksuar se nuk ka prova që mbështesin pretendimet e prokurorisë.
Të akuzuarit e tjerë dhe mbrojtja e tyre nuk kanë pasur pyetje për Palevskin. Ndërkohë, Gjykata e pyeti atë në lidhje me skanimet me rezonancë magnetike, ku Palevski iu përgjigj se ato skanime nuk kanë qenë në listën e sendeve të konfiskuara, megjithëse, siç tha i kishte me vete kur udhëtoi për në Beograd.