Gjykata Speciale: Përfundoi dëshmia e dëshmitares së 17-të kundër Thaçit dhe të tjerëve
Në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, e cila ndodhet me seli në Hagë, ka dëshmuar edhe dëshmitarja e 17-të, Dragica Bozhaniq, kundër grupit të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, raporton Anadolu.
Prokurori Cezary Michalczuk ka thënë se dëshmitarja dhe familjarët e saj janë nxjerrë nga shtëpia e tyre në rajonin e Rahovecit nga pjesëtarë të UÇK-së dhe më pas, siç tha ai, serbët e kësaj ane u dërguan në një fshat afër ku u ndanë burrat dhe gratë.
Sipas prokurorit, mëngjesin e 19 korrikut të vitit 1998 dëshmitarja Bozhaniq e kishte parë për herë të fundit bashkëshortin e saj të mavijosur në fytyrë dhe të birin e saj 16 vjeçar.
Dëshmitarja tha se bashkëshorti i saj nuk ishte pjesë e forcave policore apo ushtarake të Serbisë shkaku i një sëmundjeje të veshkave dhe se ishte i shoqërueshëm me shqiptarët e fshatit.
Pas pyetjeve të prokurorisë, dëshmitarja është intervistuar edhe nga avokati i viktimave, Simon Laws.
Dëshmitarja ia konfirmoi avokatit Laws se ajo më nuk jeton në Kosovë derisa ka theksuar se nuk do të kthehej në asnjë mënyrë, për shkak të asaj që ka kaluar.
Avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, pyeti dëshmitaren nëse burrat e fshatit të saj ishin të armatosur me armë dhe ajo u përgjigj pozitivisht.
Po ashtu kur u pyet se a është e saktë të thuhet se autoritetet serbe iu dhanë armë civilëve serbë në fshatra të ndryshe të Kosovës, Bozhaniq e pohoi një gjë të tillë, por shtoi se kjo kishte ndodhur para tragjedisë së saj familjare.
Gjithahshtu, dëshmitarja shtoi se burri i saj nuk kishte pasur armë, përveç një pistolete që e kishte blerë vet.
Dëshmitarja Bozhaniq ishte njëra nga pak dëshmitarët që deri më tani pranuan të dëshmojnë publikisht pa masa mbrojtëse.
Lidhur me rastin e Thaçit dhe të tjerëve, ZPS-ja konfirmoi se janë mbi 300 dëshmitarë.
Aktakuza ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Thaçit dhe të tjerëve, është konfirmuar më 26 tetor të vitit 2020 nga Gjykata Speciale në Hagë.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në veri të Shqipërisë. Pretendohet se këto krime u kryen nga anëtarë të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Në aktakuzë pretendohet se ish-pjesëtarët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë përgjegjësi penale individuale për krime që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin se ishin kundër UÇK-së.