Gjykata Kushtetuese e Kosovës “ngrin” funksionin e deputetëve nga 27 korriku deri më 8 gusht

Gjykata Kushtetuese e Kosovës “ngrin” funksionin e deputetëve nga 27 korriku deri më 8 gusht

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur vendimin e ri të saj i cili ua ndalon deputetëve të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës çdo vendim dhe veprim pas kalimit të afatit 30-ditor të saj, apo datës 26 korrik, transmeton Anadolu.

Kushtetuesja bëri të ditur se kjo masë e përkohshme ku deputetët nuk do të mund të marrin vendime apo veprime për konstituimin e Kuvendit, do të jetë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht.

Në vendimin e saj, Gjykata konsideron që nëse nuk vendoset masa e përkohshme “ex-officio” (në bazë të detyrës zyrtare) ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 27 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës.

Tutje thuhet se Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik e që përfshijnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend.

“Prandaj, ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas 26 korrikut 2025 është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në vendim.

Vendimi për masë të përkohshme është i ndërlidhur me rastin që e kanë dërguar deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ku kontestohet vendimi i Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025.

Megjithatë Gjykata e nxori këtë vendim për masë të përkohshme “ex-officio”, pa qenë kërkesë e parashtruesve.

Sot do të shënohet përpjekja e fundit, apo përpjekja e 52-të, në kuadër të afatit që i dha Kushtetuesja Kuvendit për konstituimin e këtij institucioni legjislativ. Nuk dihet nëse deri më tani, kreu i partisë më të madhe, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, ka arritur ndonjë marrëveshje politike me kreun e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për të emëruar kryeparlamentarin e ri dhe formuar qeverinë e re.

MARKETING