Gjykata izraelite zgjat paraburgimin e 2 aktivistëve të flotiljes me destinacion Gazën
Një gjykatë në Izrael ka zgjatur për dy ditë paraburgimin e aktivistëve Thiago de Avila dhe Saif Abukeshek të cilët ishin në bordin e flotiljes humanitare me destinacion Gazën, transmeton Anadolu.
Grupi izraelit i avokatisë për palestinezët brenda Izraelit (Adalah) tha se prokurorët izraelitë kërkuan një zgjatje prej katër ditësh të paraburgimit për aktivistët e Flotiljes Globale Sumud për arsye të lidhura me sigurinë.
Megjithatë, grupi theksoi se avokatët e tyre argumentuan se i gjithë procesi ligjor është “thelbësisht i gabuar dhe i paligjshëm”.
Sipas grupit, nuk janë ngritur akuza ndaj asnjërit prej aktivistëve dhe ata ndodhen ende në fazën e marrjes në pyetje, para ngritjes së akuzave.
“Z. de Avila dhe z. Abukeshek do të transferohen sërish në qendrën e ndalimit Shikma në Ashkelon, ku po mbahen në izolim”, thuhet më tej.
Aktivistët janë në grevë urie në shenjë proteste ndaj ndalimit që e cilësojnë të paligjshëm dhe trajtimit të keq.
Flotilja Globale Sumud u sulmua të enjten pranë ishullit grek, rreth 600 milje detare nga destinacioni i saj përfundimtar, Rripi i Gazës.
Anijet e para të flotiljes me ndihma humanitare u nisën nga Barcelona më 12 prill, ndërsa flota kryesore u nis nga ishulli italian i Sicilisë më 26 prill, me synimin për të thyer bllokadën shumëvjeçare të Gazës.
Izraeli ka vendosur një bllokadë të ashpër ndaj Rripit të Gazës që nga viti 2007, duke e lënë popullsinë prej 2.4 milionë banorësh në prag të urisë.
Ushtria izraelite nisi një ofensivë 2-vjeçare në tetor të vitit 2023, e cila ka lënë më shumë se 72 mijë të vrarë, mbi 172 mijë të tjerë të plagosur, si dhe shkatërrime masive në territorin e rrethuar.

