Gjuriq: Situata në Kosovë po përkeqësohet, parimet ndërkombëtare duhet vazhdimisht të respektohen

Ministri i Punëve të Jashtme në mandatin teknik të Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se situata në Kosovë po përkeqësohet dhe se parimet ndërkombëtare duhet të respektohen në mënyrë të barabartë dhe të vazhdueshme, transmeton Anadolu.
Gjuriq foli në seancën e Këshillit të Sigurimit në New York, e cila po shqyrton raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK) për periudhën nga shtatori i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti.
Gjuriq theksoi se qëndrimi i Serbisë mbetet i qartë dhe konsekuent se ajo mbështet fuqishëm praninë e vazhdueshme dhe angazhimin e plotë të UNMIK-ut.
Ai tha se edhe pas më shumë se 25 vitesh mandati i misionit të OKB-së akoma nuk është përmbushur dhe se sfidat në terren po bëhen gjithnjë e më komplekse nga dita ditës. Sipas tik, roli i UNMIK-ut nuk është vetëm relevant, por edhe i domosdoshëm.
Gjuriq shprehu besimin se “duam ose jo, sot të gjithë jemi të vetëdijshëm për pasojat e precedentit të krijuar në vitin 2008 me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës”.
“Ne me kohë paralajmëruam se pasi të shkelen parimet e së drejtës ndërkombëtare, pyetja është se si mund të dalim nga ky ‘rreth vicioz’. Çdo vend, potencialisht, mund të ketë ‘Kosovën’ e vet”, tha Gjuriq.
Sipas tij, që nga viti 2008 “kemi parë një numër në rritje të situatave ku vihen në pikëpyetje statuset e rajoneve të ndryshme, provincave, territoreve të shteteve sovrane e anëtarëve të OKB-së”.
“Në fakt, pas precedentit të Kosovës, pikërisht ky Këshill i Sigurimit ishte i mbingarkuar duke u marrë me pasojat e atij precedenti”, tha Gjuriq.
Më tej, ai tha se “për shkak të lëvizjeve të njëanshme dhe incidenteve të motivuara etnikisht të kryera nga regjimi aktual qeverisës në Prishtinë, i udhëhequr nga Albin Kurti, situata në terren në Kosovë po përkeqësohet dhe serbët po paguajnë çmimin”.
– Shefja e UNMIK-ut: Mbështesim dialogun, përmbahuni nga lëvizjet e njëanshme
Caroline Ziadeh, shefja e UNMIK-ut dhe përfaqësuesja e posaçme e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, nga ana e saj, tha se misioni mbështet dialogun për normalizimin e marrëdhënieve dhe bëri thirrje që të përmbahen nga lëvizjet e njëanshme, si dhe të zgjidhin në mënyrë konstruktive problemet.
Gjatë prezantimit të raportit 6-mujor për punën e UNMIK-ut, Ziadeh tha se kur e vizitoi në fund të marsit veriun e Kosovës, bashkëbiseduesit e saj i theksuan mungesën e vazhdueshme të besimit ndërmjet institucioneve dhe shqetësimet për të ardhmen duke marrë parasysh zhvillimet në rajon.
“Ata u ankuan për veprimet e njëanshme të autoriteteve në Prishtinë, përfshirë mbylljen e institucioneve serbe. Ata thanë se nuk shohin alternativë ndaj dialogut nën kujdesin e BE-së dhe se serbët e Kosovës mund të arrijnë vetëm një sistem të vetëqeverisjes brenda Asociacionit të Komunave Serbe”, tha Ziadeh.
Ajo gjithashtu dënoi sulmin që ndodhi në veri të Kosovës më 29 nëntor, duke theksuar se pret hetim të paanshëm dhe gjithëpërfshirës që do t’i sjellë autorët para drejtësisë.
“UNMIK-u mbetet i përkushtuar për tejkalimin e ndarjeve, për nismat që mbështesin sundimin e ligjit. Ne mbetemi të përkushtuar për të ofruar ndihmë në terren përmes aktiviteteve programore për të inkurajuar dialogun ndëretnik”, tha Ziadeh.
Ajo gjithashtu theksoi se UNMIK-u do të vazhdojë të bashkëpunojë me partnerët lokal në ofrimin e ndihmës juridike për të gjitha komunitetet, si dhe do të vazhdojë të mbështesë të drejtat pronësore.
Shefja e UNMIK-ut gjithashtu foli për zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt në Kosovë, duke theksuar se kanë qenë të qeta, por jo pa komplikime teknike. Ajo gjithashtu tha se pjesëmarrja e grave në proces është e lavdërueshme.
UNMIK u formua më 10 qershor të vitit 1999 me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.