Gjermania thirrje Izraelit: Ndalni ndërtimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, i ka bërë thirrje Izraelit t’i ndalë projektet e ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar gjatë një vizite në Tel Aviv të premten.
Kryediplomatja gjermane i vizitoi dje Arabinë Saudite dhe Jordaninë në kuadër të turit të saj në Lindjen e Mesme, në përpjekje për t’i nxitur Izraelin dhe Hamasin të arrijnë marrëveshje për armëpushim në Gazë dhe për lirimin e pengjeve.
Administrata e presidentit amerikan Joe Biden tha më herët këtë javë se beson se marrëveshja për armëpushim është e arritshme.
Por, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ngul këmbë që trupat izraelite duhet të qëndrojnë përgjatë vijës kufitare mes Gazës dhe Egjiptit për çështje sigurie. Hamasi kërkon tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza.
Baerbock i bëri thirrje Qeverisë së Izraelit t’i japë fund projekteve për ndërtimin e shtëpive për kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar, në mënyrë që të ndihmojë në ndërtimin e besimit në rajon.
Kujtojmë se që nga 7 tetori 2023, Izrali ka vrarë mbi 40.000 palestinezë në rripin e Gazës duke shkaktuar një krizë humanitare të paprecedentë.