Gjermania goditet nga temperatura rekord, ndërsa vala e të nxehtit lëviz drejt lindjes
Gjermania po përballet me një valë të fortë të të nxehtit, ku të premten u regjistrua temperaturë rekord prej 41.3 gradë Celsius pranë qytetit të Saarbruecken, afër kufirit francez.
Shërbimi meteorologjik ka paralajmëruar për nxehtësi ekstreme në të gjithë vendin, ndërsa autoritetet u bënë thirrje njerëzve të kursejnë ujë.
Ndërkohë vala e të nxehtit ka përfshirë edhe Britaninë, Francën dhe Zvicrën duke thyer rekorde temperaturash në muajin qershor. Në Francë, janë shënuar dhjetëra viktima ndërsa temperaturat mbi 40 gradë Celsius kanë shkaktuar ndërprerje në transportin hekurudhor, vështirësi në prodhimin e energjisë elektrike, pezullim të procesit mësimor në shkolla dhe shtyrje të aktiviteteve në natyrë.
Vala e të nxehtit pritet të arrijë kulmin në fundjavë në Gjermani derisa është duke lëvizur drejt lindjes.
Shkencëtarët nga grupi “World Weather Atribution” thanë se temperaturat në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Francë, Itali dhe Spanjë ishin midis 5°C dhe 12°C mbi mesataren sezonale. Në studim, grupi i kërkimit zbuloi gjithashtu se në 45% të 854 qyteteve evropiane, rekordet e nxehtësisë ishin thyer ose parashikohej të thyheshin.

