Gjermania dritë jeshile Polonisë, lejon dërgimin e avionët të vjetër luftarakë drejt Ukrainës

Gjermania dritë jeshile Polonisë, lejon dërgimin e avionët të vjetër luftarakë drejt Ukrainës

Gjermania e ka miratuar kërkesën e Polonisë për t’i eksportuar pesë avionë të vjetër luftarakë të llojit MiG-29, për ta forcuar fuqinë ajrore të Ukrainës kundër pushtimit rus. Këtë lajm e konfirmoi të enjten Ministria gjermane e Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes e Polonisë nuk i është përgjigjur pyetjeve të agjencisë së lajmeve Reuters lidhur me këtë temë deri në momentin e publikimit të artikullit.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se kërkesa kishte mbërritur të enjten dhe se miratimi i kërkesës në po të njëjtën ditë nga Berlini tregon se të tjerët mund të mbështeten në Gjermaninë.

Gjermania i trashëgoi 24 avionë të llojit MiG-29 nga ish-Gjermania Lindore pas ribashkimit në vitin 1990. Në atë kohë, ky lloj i avionit cilësohej si njëri ndër avionët luftarakë më të avancuar në botë.

Në vitin 2004, Berlini ia dërgoi 22 avionë të tillë Polonisë. Nga dy avionët e mbetur në ushtrinë gjermane, një u shkatërrua gjatë një përplasjeje dhe një është në një ekspozitë në një muze.

Polonisë i nevojitet paraprakisht miratimi nga Berlini zyrtar për t’i dërguar këta avionë në një vend tjetër.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha gjatë një vizite në Varshavë javën e kaluar se Polonia do të ndihmojë në formimin e një koalicioni të fuqive perëndimore për ta furnizuar Ukrainën me avionë luftarakë.

Ukraina, e cila shpreson të nisë një kundërofensivë ndaj forcave ruse gjatë javëve apo muajve të ardhshëm, dëshiron të sigurojë avionë luftarakë për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore.

Vendet perëndimore deri më tani kanë hezituar të dërgojnë avionë luftarakë të avancuar si F-16 në Kiev, por disa vende kanë vendosur të dërgojnë avionë të vjetër MiG-29, të cilët Ukraina është tashmë duke i përdorur./REL

MARKETING