Gjermania dënon miratimin e Izraelit për vendbanimet ilegale në Bregun Perëndimor

Gjermania dënoi qeverinë izraelite për legalizimin e 13 vendbanimeve kolone ilegale në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane theksoi se kjo masë e diskutueshme shkel ligjin ndërkombëtar dhe pengon përpjekjet për një zgjidhje politike të konfliktit.
“Ne e dënojmë fuqishëm këtë vendim. Ai promovon një politikë të zgejrimit të vendbanimeve kolone që minon në mënyrë aktive një zgjidhje me dy shtete”, tha zëdhënësi Christian Wagner.
“Qeveria gjermane kundërshton gjithë politikën e vendbanimeve kolone të Izraelit si të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe është e qartë se kjo politikë duhet të përfundojë dhe ky vendim të anulohet”, tha ai në një konferencë për shtyp në Berlin.
Ministri i Financave i Izraelit, Bezalel Smotrich, njoftoi të dielën se Kabineti i Sigurisë miratoi një plan për të ndarë dhe legalizuar 13 vendbanime kolone në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke e quajtur atë “një hap tjetër të rëndësishëm në rrugën drejt sovranitetit aktual në Judea dhe Samaria”.
Sipas raporteve palestineze, rreth 770.000 kolonë të paligjshëm izraelitë jetonin në 180 vendbanime kolone dhe 256 poste në gjithë territorin e pushtuar deri në fund të vitit 2024.
OKB-ja i konsideron të gjitha vendbanimet kolone izraelite në territoret e pushtuara palestineze të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe paralajmëron se zgjerimi i vazhdueshëm i tyre rrezikon përpjekjet drejt një zgjidhjeje me dy shtete.
Tensionet mbeten të larta në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar, ku sulmet nga ushtria izraelite dhe kolonët kanë rezultuar në të paktën 937 të vdekur palestinezë dhe mbi 7.000 të plagosur që nga fillimi i ofensivës së Gazës në tetor 2023.
Në korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshëm pushtimin e gjatë të territoreve palestineze nga Izraeli dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.