Gjermania akuzon Rusinë për sulm kibernetik, paralajmëron pasoja

Gjermania akuzon Rusinë për sulm kibernetik, paralajmëron pasoja

Gjermania akuzoi sot Rusinë për një sulm kibernetik që në shënjestër ka pasur ligjvënësit gjermanë dhe paralajmëroi se sulmet e tilla hibride do të kenë pasoja për Moskën, transmeton Anadolu.

“Hakerët rusë të shtetit kanë sulmuar Gjermaninë në hapësirën kibernetike. Kjo është krejtësisht e papranueshme dhe nuk do të mbetet pa pasoja”, u tha ministrja e Jashtme, Annalena Baerbock gazetarëve gjatë vizitës së saj në Australi.

Ajo tha se tashmë ka përfunduar një hetim i qeverisë për sulmin kibernetik të vitit të kaluar që kishte në shënjestër socialdemokratët në pushtet.

“Qeveria federale, nën udhëheqjen e Ministrisë së Jashtme, ka përfunduar tashmë procesin e hetimit për këtë incident. Tani mund t’ia atribuojmë qartë këtë sulm grupit APT28, i cili kontrollohet nga shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse GRU”, tha Baerbock.

Shefja e diplomacisë gjermane paralajmëroi se Rusia do të përballet me pasoja për sulme të tilla kibernetike, por nuk dha detaje rreth masave apo sanksioneve të mundshme diplomatike.

MARKETING