Gashi – Ibrahimoviq: Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi me kurs të përbashkët drejt BE-së

Gashi – Ibrahimoviq: Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi me kurs të përbashkët drejt BE-së

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi sot një takim me Ervin Ibrahimoviq, nënkryetar i Qeverisë së Malit të Zi për marrëdhënie ndërkombëtare dhe ministër i Punëve të Jashtme, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Në takim morën pjesë edhe sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, si dhe deputetët Merita Kolçi Koxhaxhiku, Ilir Demiri dhe Oliver Spasovski, njoftoi shërbimi për media i Kuvendit.

Bisedimet u fokusuan kryesisht te proceset e integrimit evropian të dy vendeve dhe të rajonit në përgjithësi. Të dy palët theksuan se anëtarësimi në Bashkimin Evropian përfaqëson një garanci për stabilitetin dhe zhvillimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor, ndërsa çdo hap përpara nga cilido vend është një sukses i përbashkët për të gjithë rajonin dhe me rëndësi strategjike për vetë BE-në.

Në këtë drejtim, u theksua se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë shembuj pozitivë të bashkëjetesës multietnike dhe multifetare, duke dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj vlerave evropiane.

Palët theksuan gjithashtu rëndësinë e aleancës së përbashkët në kuadër të NATO-s, si një tjetër shembull i kontributit të dy vendeve për stabilitetin rajonal dhe global, si dhe për përparimin e proceseve demokratike.

Sa i përket bashkëpunimit dypalësh, u nënvizua tradita e marrëdhënieve vëllazërore dhe miqësore mes dy vendeve, me qëllimin për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin në fusha të ndryshme.

Në mënyrë të veçantë u vlerësua bashkëpunimi ndërparlamentar, i cili konsiderohet një element kyç në rrugën drejt integrimit evropian. Gjithashtu, u theksua nevoja për të forcuar më tej bashkëpunimin në sektorë si infrastruktura, komunikacioni dhe turizmi.

MARKETING