Gashi: Eurointegrimi nuk ndërtohet në Bruksel, por në vendin tonë
“Integrimi evropian nuk ndërtohet në Bruksel, por në vendin tonë, në vendimet tona dhe në mënyrën se si arrijmë konsensus”, deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë konferencës së tetë plenare të Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian, e cila u mbajt sot në Kuvend.
Gashi nënvizoi se asnjë çështje dypalëshe nuk duhet të pengojë rrugën e vendit drejt BE-së, duke përmendur shembujt e Shqipërisë dhe Malit të Zi si dëshmi se procesi i integrimit është i realizueshëm. Ai theksoi se gara nuk duhet të zhvillohet në nivel retorik, por në gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta për sfidat e përbashkëta.
Ndërkohë, kryetari i Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, Venko Filipçe, paralajmëroi se vendi po humb kohë të çmuar për shkak të mungesës së vullnetit politik për reforma thelbësore.
“Raporti i BE-së është i qartë: nuk ka reforma dhe ne po humbim kohë. Ky është një nga raportet më të këqija që ka marrë shteti”, tha Filipçe, duke theksuar mungesën e përparimit në sektorët kyç si gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe reformat mediatike.
Ai shtoi se zbatimi i reformave dhe ndryshimeve kushtetuese kërkon konsensus të gjerë politik, duke theksuar se Parlamenti mbetet institucioni ku duhet të arrihet marrëveshja për të ardhmen evropiane të vendit.
Zëvendëskryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Igor Zdravkovski, e vlerësoi Konventën Kombëtare si një platformë gjithëpërfshirëse për debat publik, që bashkon Qeverinë, Parlamentin, shoqërinë civile dhe komunitetin akademik.
“Reformat duhet të vazhdojnë, pasi çdo ngecje na çon në një rrugë pa krye dhe nënkupton humbje kohe e energjie”, theksoi ai, duke kujtuar se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i miratuar nga Komisioni Evropian, ofron mbështetje financiare për reforma të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Konferenca u zhvillua nën moton “Reformat në anën tjetër të retorikës: Sfidat rajonale në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, me pjesëmarrjen e deputetëve, ambasadorëve, ekspertëve të drejtësisë, akademikëve dhe përfaqësuesve nga Sllovakia, Shqipëria dhe Serbia.

