Gashi-Dir: Mbështetje për Ukrainën dhe avancim të bashkëpunimit mes dy parlamenteve

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sot realizoi takim me ambasadoren e Ukrainës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Larisa Dir. Takimi u përqendrua në situatën në Ukrainë në lidhje me agresionin rus në shkallë të plotë, si dhe mundësitë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Ukrainës.
Siç kumtoi shërbimi i Kuvendit për shtyp, Gashi e riafirmoi mbështetjen e tij të parezervë për Ukrainën, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, si dhe përpjekjet për të vendosur paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në vend.
Ai iu referua bashkëpunimit të frytshëm midis dy parlamenteve, në planin dypalësh dhe shumëpalësh, si dhe rolit të grupeve parlamentare për miqësi dhe bashkëpunim. Gashi nënvizoi gjithashtu rëndësinë e Grupit Parlamentar Ndërpartiak të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për mbështetje të Platformës së Krimesë.
Ambasadorja Larisa Dir falënderoi për mbështetjen dhe ndihmën e përgjithshme të ofruar nga vendi ynë deri më tani dhe shprehu pritjen e saj se ato do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
“Ajo theksoi se mbështetja nga vendet mike është me rëndësi të veçantë për Ukrainën dhe popullin ukrainas. Në këtë drejtim, ambasadorja informoi për takimet e ardhshme ndërkombëtare në të cilat pritet të marrin pjesë përfaqësuesit e lartë nga vendi ynë, përfshirë edhe Samitin e Katërt Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare të Krimesë, që do të mbahet në nëntor të këtij viti në Stokholm”, qëndron në kumtesën e shërbimit të Kuvendit për shtyp.
Kryetari Gashi dhe ambasadorja Dir trajtuan edhe integrimin evropian të dy vendeve dhe mundësitë për bashkëpunim në këtë fushë. Ata ranë dakord se Maqedonia e Veriut dhe Ukraina kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe, me potencial të madh për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.