Garnacho u thotë miqve se do t’i bashkohet Chelseat

Garnacho u thotë miqve se do t’i bashkohet Chelseat

E ardhmja e Alejandro Garnacho duket larg Manchester United. Sipas raportimeve të talkSPORT, sulmuesi argjentinas u ka thënë miqve të tij se tashmë ka marrë vendimin për t’iu bashkuar Chelseat.

Gazetari i njohur Alex Crook shkruan se marrëdhëniet mes Garnachos dhe trajnerit Ruben Amorim janë prishur përfundimisht pas një përplasjeje të ashpër publike.

Sherri ndodhi menjëherë pas humbjes në finalen e Europa League kundër Tottenhamit në Bilbao, gjë që ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij në “Old Trafford”.

Në anën tjetër, Chelsea e sheh Garnachon si një përforcim të rëndësishëm për repartin ofensiv. Klubi londinez raportohet se i ka kërkuar lojtarit të tregojë durim, ndërsa bisedimet mes dy palëve pritet të intensifikohen në ditët e ardhshme.

United ka vendosur një çmim prej rreth 50 milionë eurosh për kartonin e lojtarit, shifër që do të siguronte fitim të ndjeshëm për një futbollist të dalë nga akademia e tyre.

Megjithatë, Chelsea beson se mund ta ulë këtë shumë, duke shfrytëzuar situatën e tensionuar mes argjentinasit dhe trajnerit Amorim.

Garnacho, i cili shihet si një nga talentet më premtues të futbollit evropian, e ka bërë të qartë dëshirën e tij për të vazhduar karrierën në një ambient të ri.

Nëse marrëveshja finalizohet, ai do të bëhej një nga transferimet më të bujshme të verës në Ligën Premier.

Tifozët e United janë të ndarë: disa e shohin largimin e tij si humbje të madhe për klubin, ndërsa të tjerë mendojnë se prishja e raporteve me trajnerin e bën të pashmangshëm transferimin.

MARKETING