Gara e titullit më e hapur se kurrë në Bundesliga, 6 skuadra luajnë për titullin

Gara e titullit më e hapur se kurrë në Bundesliga, 6 skuadra luajnë për titullin

Bundesliga është rikthyer më e bukur se kurrë në nisjen e vitit 2023, me kampionatin që është totalisht i hapur sa i përket titullit kampion. Gjashtë skuadra janë momentalisht në garë, duke nisur nga kryesuesit e Bayern Munchen dhe deri te Eintracht Frankfurt, skuadër që e bëri të mundur diçka të tillë me barazimin në “Allianz Arena” këtë fundjavë.

Kriza e rezultate është rikthyer përsëri në shtëpinë e bavarezëve, pasi Bayern tani numëron tri ndeshje radhazi pa fitore, më saktë tri barazime në seri. Hapin fals të kampionëve e kanë shfrytëzuar në maksimum ndjekësit, e sidomos Borussia Dortmund që në muajin e parë të këtij viti ka zhdukur hijet e vitit 2022, me tre fitore radhazi dhe tani e sheh vetën në vendin e katërt me 34 pikë.

Suksesi përballë Bayer Leverkusen në transfertë ishte një sinjal i fortë se “verdhezinjtë” janë rifutur në garë për titullin kampion dhe tani janë shumë pranë kreut edhe rivalit të përjetshëm. Por, me Bayern dhe Dortmund qëndrojnë Union Berlin dhe Leipzig.

Berlinezët janë padiskutim një surprizë e këndshme e këtij edicioni dhe pa zhurmë kanë krijuar një ecuri fantastike sa tani ëndërrojnë për atë që në fillim të sezonit konsiderohej e paarritshme. Nëntë pikë në tri ndeshjet e para të vitit dhe 36 pikë në total, një më pak se Bayern, ndërsa Leipzig qëndron në vendin e tretë me 35 pikë, duke vijuar ecurinë e rezultatve pozitive, pasi skuadra e Marco Rose numëron tashmë 11 ndeshje radhazi pa humbje në Bundesliga dhe është ekipi më në formë i kampionatit.

Pak më poshtë, në vendin e pestë renditet Freiburg që nëse nuk do të kishte gabuar në ndeshjet e para të këtij vitit, sot do të kryesonte e vetme, por matematikisht mbetet në lojë, pasi numëron 34 pikë, po aq sa Dortmund.  Edhe pse me një organikë jo të pasur në emra, Freiburg gjatë këtij sezoni ka treguar se është në gjendje të bëjë surprizën.

Në fund të kësaj gare, Frankfurt. Eintracht është në vendin e gjashtë me 32 pikë, matematikisht në lojë, por ndoshta më larg se të gjithë për titullin kampion, pasi është një skuadër shume e “fiksuar” pas barazimeve, tre në pesë ndeshjet e fundit. Natyrisht barazimi në Allianz Arena ishte një test i vërtetë dhe matematika i lejon të ëndërrojnë për momentin.

Gjithsesi, kampionati është ende i gjatë, faza e dytë sapo ka nisur, por ditët e para të vitit 2023 na kanë treguar se finishi në Bundesliga do të jetë një emocion i cili nuk mund të parashikohet dhe të përshkruhet me fjalë, por vetëm të shijohet dhe përjetohet javë pas jave.

MARKETING